Maqedoni
Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, urojnë funksionarë dhe krerë partiak
28.11.2023 14:57
Me rastin e 28 Nëntorit, 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kanë uruar funksionarë shtetëror dhe krerë të partive politike....

Me rastin e 28 Nëntorit, 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kanë uruar funksionarë shtetëror dhe krerë të partive politike. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, është shprehur se muaji nëntor është muaj i rëndësishëm për shqiptarët. Përkujtues për atë që kemi qenë dhe udhërrëfyes për përcaktimet për të cilat jemi determinuar t’i arrijmë.
"Jemi bashkë në NATO, do të jemi bashkë edhe në Bashkimin Evropian, sepse atje bashkë me vlera dhe standarde të njëjta do të kontribuojmë për një botë më të mirë dhe më të sigurt për gjeneratat e ardhshme.".
Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë e ka uruar edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Nga selia e NATO-s në Bruksel kanë uruar Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë ministrat e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Bujar Osmani dhe Igli Hasani.
“Të dy jemi krenarë që vendet tona janë anëtare të NATO-s dhe po punojmë bashkë për të përshpejtuar integrimin në BE. Faleminderit dhe gëzuar, kudo që jeni!”, - theksoi ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
“Gëzuar dhe për shumë vite! Respekt gjithë punës suaj që na ka nisur drejtimin euroatlantik të gjithë shqiptarëve kudo në rajon.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në Fejsbuk ka shkruar se historia e qëndresës shqiptare u shkrua me gjakun e dëshmorëve, që gjithmonë kërkuan gjuhë, liri dhe flamur të paprekshëm.
“Liri e barazi kërkonim në çdo etapë të ekzistencës kombëtare, gjuhë e flamur të paprekshëm, shkolla që të arsimonim vegjëlinë, asgjë më tepër se kjo, të drejtë ishim në qëllimet dhe ja ku jemi, të lidhur shpirtërisht përtej kufijve dhe në shërbim të përparimit të kombit tonë.”
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, urimin për festën e Pavarësisë e ka shoqëruar me propozimin për emërimin e 28 Nëntorit, si festë zyrtare për të gjithë shqiptarët në vend.
“Dua që të ndaj sot me ju propozimin tim konkret që do ta ndaj me deputetët e partisë sonë, që t’i kërkojnë Parlamentit që kjo datë të emërohet si festë zyrtare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Mendoj se shqiptarët, ashtu si çdo komb tjetër, e meritojnë që kjo datë të jetë zyrtarisht e njohur në kalendarin e festave.”
Festën e pavarësisë e ka uruar edhe blloku opozitar shqiptar, Izet Mexhiti, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami.
“Sot, jemi krenar që ne si shqiptarë jemi faktorë të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit në rajon dhe më gjerë.”, ka shkruar Kasami në Fejsbuk.
FLORIJE KAMBERI
