Maqedoni

Tetova, e veshur kuq e zi, shënohet Dita e Flamurit

28.11.2023 15:36

Tetova është veshur kuq e zi për Ditën e Flamurit....

Tetova është veshur kuq e zi për Ditën e Flamurit. Me aktivitete të ndryshme ka filluar festa e flamurit në komunën e Tetovës.
 
As koha me shi dhe kushtet klimatike nuk i ndaluan nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore për të festuar 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, me aktivitete të ndryshme, me poezi, dramë, këngë dhe valle popullore.
 
Ndërsa, kreu i komunës së Tetovës tha se ne do të punojmë që kjo rini e bukur të ketë kushte më të mira.
 
“Tetova, me këtë rini që ka, dëshmon se ka ardhmëri dhe na e shton forcën që të luftojmë për investime në kulturë, sport e veçanërisht në arsim. Sot në këto festa të nëntorit, kjo festë e bukur e 28 Nëntorit - Ditës se flamurit, ne besatohemi se deri në fund do të punojmë, do të luftojmë, që të krijojmë kushte më të mira për këtë rini. Në të ardhmen, komuna e Tetovës do të investojë që rinia jonë të ketë kushte më të mira në vend.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Me një akademi solemne, Universiteti i Tetovës ka shënuar Ditën e Flamurit, ndërkohë për nder të kësaj dite mbarëkombëtare, klubi i boksit “Shkëndija” organizon disa luftëra në boks, ku më e spikatur është ndeshja mes Elif Nur Turhan,  që do të luftojë për rripin  WBC-internacional kundër anglezes, Kristi Hill.
 
VISAR SADIKI