Maqedoni

Samiti i OSBE-së, Llavrovi vjen në Shkup, bojkotojnë Ukraina dhe vendet baltike

28.11.2023 15:55

Bullgaria i jep leje avionit të Llavrovit që të fluturojë mbi hapësirën ajrore për aterim në Shkup...

Bullgaria i jep leje avionit të Llavrovit që të fluturojë mbi hapësirën ajrore për aterim në Shkup për të marrë pjesë në Samitin e Këshillit Ministror të OSBE-së. Nga ana tjetër, Ukraina bojkoton pjesëmarrjen e delegacionit të vet në samit, prej ku akuzojnë Rusinë për shkatërrim të OSBE-së dhe abuzim me parimin e konsensusit në organizatë.
 
“Delegacioni i Ukrainës nuk do të marrë pjesë në takimin ministror të OSBE-së në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme. Në të njëjtën kohë, Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të OSBE-së dhe është e gatshme të vazhdojë të punojë me partnerët  për të rivendosur respektin për Aktin Final të Helsinkit.”, thuhet në komunikatën me shkrim të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme ukrainase.
 
Mospjesëmarrje kanë paralajmëruar edhe vendet baltike. Shefi i diplomacisë së Estonisë njofton në platformën X.
 
“Bashkë me Krisjanin Karins dhe Landsbergis kemi vendosur të mos marrim pjesë në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup, nëse ministri Llavrov do të jetë pjesëmarrës.”.
 
Aspekti i sigurisë, MPB: I kemi bërë të gjitha përgatitjet
 
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme, me përgatitjet e nevojshme gjatë kohës kur do të mbahet samiti paralajmërojnë nivel të lartë sigurie.
 
“Ministria për Punë të Brendshme në aspekt të logjistikës është tërësisht e përgatitur që ta sigurojë këtë ngjarje të madhe, që është me rëndësi të madhe edhe për nga numri i personave që do të marrin pjesë. Bëhet fjalë për 70 delegacione të paralajmëruara, për rreth 1,000 pjesëmarrës. Nga 70 delegacione, 55 prej tyre do të sigurohen profesionalisht thënë me nivelin e tretë të sigurisë, ndërsa të tjerët sipas të katërtës dhe më  siguri më të ulët. Për sigurimin e personave dhe objekteve është përfshirë policia e komunikacionit dhe njësitë organizative.”, - theksoi këshilltarja shtetërore në MPB, Suzana Praniq.
 
Nga sektori i brendshëm qartësojnë informacione për opinionin për rrugët që do të jenë të bllokuara në këtë ngjarje. Apelojnë qytetarët që t’i respektojnë urdhrat e nëpunësve policorë. 
 
“Gjatë kohës së mbajtjes së ngjarjes, do të kemi ndërprerje të caktuar të komunikacionit, kryesisht rrugët që gravitojnë rreth sallës “Boris Trajkovski”, e që janë rruga e Ilindenit, nga qeveria në “Siti Moll” dhe rruga “8 Shtatori”, nga “Hubo Marketi” deri tek “Arradhat partizane.”, - u shpreh zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski. 
 
Këto rrugë nuk do të jenë tërësisht të mbyllura. Pasi të kalojnë delegacionet do të lirohen për qarkullim, thotë për TVM2, zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU