Botë

Takimi ministror i NATO-s, në fokus Ballkani Perëndimor, Lindja e Mesme dhe Ukraina

28.11.2023 16:11

Takimi ministror i NATO-s, në fokus Ballkani Perëndimor, Lindja e Mesme dhe Ukraina

Luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, por edhe situata politike e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, janë në fokus të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Bruksel.
 
“NATO-ja do të bëjë gjithçka që është e mundur që të sigurojë dhe të mbajë një gjendje të qetë dhe të sigurt në rajon, sepse kjo është e rëndësishme për NATO-n dhe për Evropën. Ne kemi prezencën e forcave tona atje dhe po punojmë ngushtë me misionin e Bashkimit Evropian dhe me EU-FOR në Bosnje dhe Hercegovinë. Po ashtu kemi forca në Kosovë dhe për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, vetëm gjatë tre javëve të fundit kemi dërguar në mënyrë shtesë edhe 1,000 trupa. Pra, po punojmë me miqtë tanë dhe me partnerët e rajonit që t’i ulim tensionet dhe të pengojmë përhapjen e konflikteve.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
“Mënyra më e mirë për t’u përballur me tensionet në Ballkanin Perëndimor është koordinimi në mes NATO-s dhe BE-së. Vetëm një bashkim dhe integrim në Unionin Evropian dhe integrimi në strukturat euroatlantike është zgjidhje për problemet në rajon.”, - theksoi ministri i MPJ-së i RMV-së, Bujar Osmani. 
 
NATO-ja ka bërë të ditur se në një periudhë afatgjate do ta ndihmojë Ukrainën.
 
“Fuqishëm po dëshmojmë se do të vazhdojë përkrahja ndaj Ukrainës, e cila në kontinuitet po përballet me agresionin rus.”, - u shpreh sekretari i ShBA-ve, Antoni Blinken. 
 
Aleatët e këtij takimi të ministrave të Punëve të Jashtme po ashtu vlerësuan se do të duhet fuqishëm t’i përgjigjet Kinës, e cila përmes aktiviteteve të saja të fundit po e rrezikon sigurinë e NATO-s, ndërsa Stoltenberg bëri të ditur se ka kërkuar që në mënyrë të përshpejtuar të pranohet Suedia në NATO.  
 
FITIM KRYEZIU