Botë

Osmani: Kosova e shënon 28 Nëntorin në Prekaz

28.11.2023 16:35

Festë e dyfishtë në Kosovë. Përveç kremtimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë...

Festë e dyfishtë në Kosovë. Përveç kremtimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori përkujton edhe ditëlindjen e 68-të të komandantit legjendar, Adem Jashari. Për të nderuar këto dy ngjarje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kryen homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kjo datë u përkujton të gjithë shqiptarëve çmimin e lartë dhe sakrificat e popullit  shqiptar për liri.  
 
“Urime 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Sot e fillojmë këtë ditë historike duke nderuar një figurë dhe familje po aq historike sa edhe vet flamuri kuq e zi, familjen Jashari. Njëkohësisht duke shënuar ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe daljen e parë publike të ushtrisë sonë çlirimtare me 28 nëntor të vitit 1997. Është pikërisht flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor, që është ditë që na kujton secilit prej nesh çmimin e  lartë të lirisë, por njëkohësisht edhe sakrificat që janë bërë për shekuj që ne të jetojmë të lirë.”, - theksoi presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. 
 
Ky 28 nëntor shënon edhe 26 vjetorin e shfaqjes për herë të parë të UÇK-së në Kosovë. Ndërkohë, të gjitha qytetet në Kosovë janë veshur kuqezi në nderim të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke organizuar një sërë aktivitetesh. 
 
BELINDA KOKA ADEMI