Maqedoni

Ligji për Qeverinë, Mickoski: Të hiqet dispozita për qeveri teknike

28.11.2023 16:50

VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk heq dorë....

VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk heq dorë nga kërkesa për heqjen e qeverisë teknike. Kreu i kësaj partie, Mickoski, thotë se janë të gatshëm të intervenojnë në Ligjin për Qeverinë dhe Kodin Zgjedhor për ta fshirë këtë dispozitë, pasi për opozitën maqedonase është e papranueshme që BDI-ja të propozojë kryeministër teknik. Ai potencon se qeveri e tillë nuk ka as legjitimitet politik e as qytetar.  
 
“Vlerësojmë që qeveria teknike e udhëhequr nga një zgjidhje e tillë kadrovike dhe vetë thelbi i qeverisë teknike duhet të jetë pjesë e së kaluarës. Maqedonia është vend kandidat për anëtarësim në BE, Maqedonia është një vend i pjekur për të ndërhyrë në Ligjin për Qeverinë dhe Kodin Zgjedhor dhe kjo dispozitë që përcakton qeverinë teknike duhet të fshihet përfundimisht.”, - deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
 
Kovaçevski: S’ka konsensus për shfuqizimin e qeverisë teknike
 
Sipas kryeministrit, e vetmja mënyrë për të shfuqizuar qeverinë teknike është me konsensus, pasi ajo u votua dhe u fut në ligj. Por, aktualisht, nuk ka një konsensus të tillë. 
 
“Nëse nuk kemi konsensus  për diçka që është sjell me konsensus të plotë dhe me ndërmjetësim ndërkombëtarë, atëherë sërish mund të përfundojmë në krizë politike. Nuk ka konsensus që tani të shfuqizohet pasi që jemi pak para realizimit të zgjedhjeve. LSDM-ja dhe BDI-ja e kanë si marrëveshje koalicioni dhe tanido të bëhen 4 vite. Kryeministër duhet të jetë nga radhët e bashkësisë etnike shqiptare që është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Nëse gjatë takimit të paralajmëruar që të mbahet në Kuvend liderët politik bien dakord që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbahen së bashku më 8 maj, sipas kryeparlamentarit Xhaferi, zgjedhjet duhet të shpallen deri më 28 shkurt, ndërsa qeveria teknike duhet të zgjidhet një muaj më herët, pra deri më 28 janar. (Sanije Duraku, TVM2)