Pako e re e masave anti-krizë kap vlerën e 662 milion eurove
Pakoja e re e masave anti-krizë....

Pakoja e re e masave anti-krizë kapë vlerën prej 662 milion eurove. Masat që do të zbatohen nga muaji dhjetor mbulojnë 120 mijë të rinj, mbi 74 mijë qytetarë kategori të rrezikuara sociale, mbi 187 mijë pensionistë, 40 mijë fermerë, gati 540 mijë përdorues të aplikacionit TVSh-ja ime, mbi 600 mijë familje dhe mbi 70 mijë kompani.
“Masat për qytetarët, amvisëritë dhe bujqit kapin vlerën e 156 milion eurove. Mbi 105 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në 6 muajt e ardhshëm do të marrin 1,800 denarë në muaj. Në 5 muajt e ardhshëm nga 1 mijë denarë në muaj do të marrin personat me aftësi të kufizuara, prindër vetushqyes, persona të kategorisë sociale dhe prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijë deri në 26 vjeç. Me këtë masë janë përfshirë 16,741 qytetarë me buxhet prej 7,2 milion euro. Në 5 muajt e ardhshëm pensionistët me pension deri në 14 mijë denarë do të ndihmohen me 3 mijë denarë në muaj. Me pension nga 14 deri 16 mijë denarë nga 2 mijë denarë dhe me pension nga 16 mijë deri në 19 mijë nga 1,500 denarë në muaj. 35 milion euro për 187 mijë pensionistë.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Për sektorin privat janë paraparë 492 milion euro mjete për ruajtje të likuiditetit, nxitjen e konkurrencës dhe nxitjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë në sektorin privat. Kompanitë do të lirohen nga kontributet nëse vendosin të rrisin rrogat nga 3 deri në 10 mijë denarë për të punësuarit.
“Masa jep mundësi që të rriten pagat nga 3 deri në 10 mijë denarë. Bizneset për këtë rritje të pagave janë të liruara nga rritja e shtesave për kontributet. Këtë masa mund t’i shfrytëzojnë vetëm të punësuarit që nuk i kalojnë të hyrat më shumë se 1 pagë e gjysmë të pagës mesatare.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
36,2 milion euro janë paraparë për harmonizim të pagave në sektorin publik për vitin 2024, 52 milion për rritje të pagave në bazë të marrëveshjeve kolektive. Sektori i bujqësisë do të ndihmohet me 8,1 milion euro.
Do të vazhdojë dhe subvencionimi për faturat e energjisë elektrike për kategoritë e rrezikuara me 1,200 denarë në muaj. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
