Maqedoni

Takimi Gruevski-Doll, temë e takimit kriza politike në vend

19.03.2015 16:15

Kthimi i opozitës në parlament është i nevojshëm që të gjendet zgjidhja e krizës politike, ka qenë mesazhi të cilin kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Zhozef Doll...

Kthimi i opozitës në parlament është i nevojshëm që të gjendet zgjidhja e krizës politike, ka qenë mesazhi të cilin kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Zhozef Doll, ia ka dhënë kryeministrit, Nikolla Gruevski, në konferencën e Partive Popullore Evropiane.
 
Në takim është biseduar për temat aktuale që janë në interes të Maqedonisë,  si dhe për eurointegrimin e vendit. 
 
“Kam pasur takim me kryetarin e grupacionit më të fortë politik këtu në Unionin Evropian, ku e informova për situatën aktuale politike në Maqedoni, si dhe për rastin “Puç” dhe detajet rreth tyre. Mendimi i tij është se opozita duhet të kthehet në parlament dhe prej aty të zgjidhen problemet. Ai merr përsipër obligimin dhe më tutje të ndjek rastin dhe të informohet nëse është e mundshme të ndihmohet diçka në të ardhmen”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Zhozef Doll, është edhe lider i grupacionit më të madh politik në Parlamentin Evropian dhe mbështetës i Maqedonisë. 
 
Në samitin në Bruksel marrin pjesë shefat e partive dhe liderët politik të së djathtës evropiane, mes të cilëve edhe njerëzit e parë të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, Zhan Klod Junker dhe Donald Tusk. 
 
Sa i përket krizës politike në Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë marrë ftesat për takim në Bruksel, si tendencë e përpjekjeve të BE-së për të rivendosur dialogun politik.
 
Shtypi maqedonas ka njoftuar se komisionari, Johanes Han, ka telefonuar krerët e këtyre partive politike dhe ka këmbëngulur që takimi i parë të mbahet në Bruksel. 
 
BESA JASHARI