Maqedoni

Akademi solemne, Ahmeti: Shqiponja na priu në luftë dhe në paqe

28.11.2023 19:47

Nuk ka peshë më të madhe sa ajo që shqiptarët festojnë 28 nëntorin të lirë në vendin e tyre...

Nuk ka peshë më të madhe sa ajo që shqiptarët festojnë 28 nëntorin të lirë në vendin e tyre. Kështu u shpreh kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në akademinë solemne organizuar me rastin e ditës së flamurit kombëtar. 
 
Duke përkujtuar se si festohej 28 nëntori gjatë periudhave më të ndjeshme për popullin shqiptar, Ahmeti tha se kombi ynë ka kaluar sakrifica të shumta për të ardhur në këtë ditë që të frymojë shqip pa frikë. 
 
“Përderisa kjo shqiponjë, ky flamur në ballë dhe në krah që e kemi pas na ka pri dhe na ka pri fort e mirë me fitore. Sot një shtet është Kosova, sot shtet-formues janë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kjo shqiponjë dhe ky flamur. Shqiponja di të fluturojë lartë, shqiponjës nuk i lodhen krahët. Prandaj kjo shqiponjë siç na priu në luftë do na prijë edhe në paqe, drejt Brukselit”, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Reka: Shqiptarët të bashkuar në BE
 
Ambasadori i Shqipërisë Fatos Reka vlerësoi lartë arritjet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në vendimmarrje dhe në fusha tjera, duke thënë që misioni do të plotësohet me integrimin  e Shqipërisë dhe Maqedonsë së Veriut në BE. 
 
“Kam besim dhe jam i bindur që forcat progresiste në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe spektrin politik shqiptarë do t’i përmbushin me sukses të gjitha detyrimet, përfshirë këtu edhe ndryshimet kushtetuese sipas planit  francez, për të vijuar rrugëtimin tonë të përbashkët drejt Brukselit”, theksoi ambasadori i Shqipërisë në RMV, Fatos Reka.
 
Fjalë rasti pati edhe zv.kryeministri Artan Grubi i cili tha se kombi nderohet me punë dhe ftoi që të gjithë të japin kontributin e tyre në fushën që veprojnë. Kjo akademi solemne u shoqërua edhe me këngë patriotike. 
 
ERSAN PAJAZITI