Maqedoni

Këshilli ministror i OSBE-së në Shkup, pjesëmarrëse 76 delegacione nga 57 vende anëtare

29.11.2023 10:55

Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë - OSBE...

Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë - OSBE, i cili do të mbahet në Shkup nga sot deri më 1 dhjetor, ku pritet të marrin pjesë rreth 1,000 delegatë.  Në ngjarjen  më të  madhe politiko-diplomatike që ka ndodhur në vend që nga pavarësia, do të marrin pjesë 76 delegacione nga 57 vende anëtare dhe vende partnere të Organizatës.

Takimin do ta shënojë prania e diplomatëve të parë të Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse, Antoni Blinken dhe Sergej Lavrov, duke e bërë atë një nga ngjarjet e pakta që do t'i gjejë të dy në të njëjtin vend, që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Edhe pse për momentin nuk ka asnjë njoftim për një takim midis Blinkenit dhe Lavrovit, analistët nuk përjashtojnë mundësinë e bisedimeve për një zgjidhje të mundshme të konfliktit në Ukrainë. Sekretari amerikan i shtetit, Blinken, vjen sot dhe pjesëmarrjen në  OSBE-së do ta nisë me një takim dypalësh me ministrin e Punëve të Jashtme dhe kryetarin e OSBE-së, Bujar Osmanin. 
 
Ndërkohë regjim i posaçëm i komunikacionit do të vendoset në Shkup duke filluar nga sot në orën 13:00. Rrugë të caktuara do të mbyllen herë pas here për qarkullim, si bulevardi “Ilinden” nga udhëkryqi  me bulevardin. “Shën Kliment Ohridski" deri te udhëkryqi  me rr. "Ljubljanska" dhe bulevardi "8 Shtatori", nga udhëkryqi me rr. “Skupi”. Nga MPB-ja thonë se varësisht nevojës  mund të mbyllen edhe rrugë të tjera dhe apelojnë qytetarët të kenë durim dhe të respektojnë urdhrat e punonjësve të policisë.