Maqedoni

Ekspertët: korrupsioni të luftohet nga nivelet më të larta

19.03.2015 16:32

Tregtia me lëndë narkotike, kontrabandimi me emigrantë, si dhe fshehja e tatimit janë format më të shpeshta të krimit të organizuar në Maqedoni...

Konstatimi i tillë del nga raporti i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtarë.
 
Më të përfshirë në krimin e organizuar janë policët kufitarë, ata të trafikut dhe policia për luftimin e krimit.
 
Koordinatorja e projektit, Emilija Tuxharovska-Gjorgjievska, tha se tendencat për ulje të korrupsionit do të vërehen vetëm me uljen e nivelit të papunësisë.
 
“Në vitin 2018 pritet të ketë rritje të prodhimit të brendshëm bruto. Me këtë konsiderohet të ketë rritje të punësimeve dhe ulje të tolerancës së qytetarëve dhe të vetë administratorëve shtetërorë për korrupsion, gjegjësisht motivin që administratorët të mos përfshihen në korrupsion”- deklaroi koordinatorja e projektit, Emilija Tuxharovska-Gjorgjievska.
 
Drejtori i Qendrës për Demokraci nga Bullgaria, Rusllan Stefanov, thotë se korrupsioni në Maqedoni, sikurse në shumë vende të rajonit, është një problematikë serioze.
 
Ai propozon që të jepen të dhëna statistikore sa njerëz janë akuzuar dhe sa dënuar për përfshirje në afera korruptive.
 
Gjithashtu, sipas Stefanovit, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Maqedoni duhet të fillojë të luftohet nga nivelet më të larta të qeverisë.
 
“Është e nevojshme që qytetarët të kenë më shumë besim tek institucionet. Nëse analizoni konkluzionet e raportit, aty shkruan se hulumtimi mbi korrupsionin do të duhet të fillojë nga nivelet më të larta të qeverisë. Vetëm atëherë do të mund të kemi rezultate në luftën kundër korrupsionit”- tha drejtori i Qendrës për Demokraci nga Bullgaria, Rusllan Stefanov.
 
Përvojat tregojnë se edhe shtetet e BE-së, si Sllovenia, Kroacia, Rumania kanë filluar të luftojnë korrupsionin nga nivelet më të larta të shtetit. 
 
Në nivel global, sa i takon krimit të organizuar, Maqedonia renditet në vendin e 98 nga gjithsej 148 vende të botës.
 
MERAL ISMAILI