Maqedoni

Policia arrestoi një person nga Tetova, vendosi flamurin shqiptar në Kodër të Diellit

29.11.2023 11:35

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:30...

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:30 kanë arrestuar personin J.A. 33 vjeç nga Reçica e Vogël, me  arsyetimin se ka vendosur flamurin e Shqipërisë në Manastirin në Kodër të Diellit.

“I arrestuari dyshohet se nga shtiza e manastirit “Shën Naumi” të Kodrës së Diellit, ka zbritur flamurin e Kryepeshkëvisë së Ohrit dhe ka vendosur flamurin e Republikës së Shqipërisë në vend të tij. Pas dokumentimit të rastit ndaj J.A., i cili ndodhej me një person tjetër në momentin e uljes së flamurit të kishës, për të cilin vazhdon kërkimi, do të vijojë kallëzim përkatës”, shtojnë nga MPB-ja. 
 
Angellov: Hoqëm flamurin shqiptar në oborrin e kishës
 
Por, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, sot ka nxjerrë një fotografi në rrjetet sociale, duke bërë të ditur  se flamuri shqiptar nuk është më në shtyllën e oborrit të kishës “Shën Naumi i Ohrit” në Kodrën e Diellit. 
 
Ai shkruan se në shtyllë do të vendoset flamuri i kishës, i cili mbrëmë ishte hequr nga dy persona, të cilët  u kapën nga kamerat e sigurisë. Ai më tej shtoi se reagimi i shpejtë i institucioneve, si dhe presioni publik mund të zvogëlojë provokimet që ndezin mostolerancën ndëretnike. Reagimi i shoqërisë ndaj provokimeve të tilla duhet të jetë i bashkuar dhe unik pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, politike apo çfarëdo përkatësie tjetër, shkruan Angellov.