Botë

Suedia: Turqia na premtoi anëtarësim të shpejtë në NATO

29.11.2023 13:55

Suedia vazhdon të shpresojë për anëtarësim të shpejtë në NATO....

Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström tha në kuadër të takimit të NATO-s në Bruksel të mërkurën se ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan e kishte siguruar se ai e priste brenda pak javësh ratifikimin nga parlamenti turk të kërkesës suedeze për anëtarësim në NATO.
 
Dosja e Suedisë me aplikimin për anëtarësim ndodhet në Parlamentin turk, që kur presidenti Recep Tayyip Erdogan e përcolli atje në tetor.
 
Dje, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, aleatët e NATO-s e shtuan presionin ndaj Turqisë. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken i kërkoi homologut të tij turk Hakan Fidan në kuadër të takimit që dosja e pranimit të Suedisë të ratifikohet “sa më shpejt të jetë e mundur”.
 
Presion ndaj Turqisë nga aleatët e NATO-s
 
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock gjithashtu e kritikoi Turqinë për vonimin e ratifikimit të Suedisë për në NATO. Hapi është “më se i vonuar” dhe duhet të ndodhë tani, tha politikania e Gjelbër.
 
Baerbock-u kujtoi gjithashtu se Erdogani ishte dhënë personalisht fjalën e tij në samitin e NATO-s të mbajtur në Vilnius në mes të korrikut: “Në Vilnius u tha qartë se Suedia do të bëhej anëtare e aleancës sonë të përbashkët”, theksoi ajo.
 
Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna e paralajmëroi Ankaranë se ishte në rrezik “besueshmëria” e aleancës: “Nuk duhet të humbim një ditë tjetër”.
 
Ministrja finlandeze e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen, u shpreh “mjaft e zhgënjyer” nga fakti se pranimi i Suedisë mbetet i bllokuar, ndërkohë që vendi i saj u anëtarësua në prill, raporton DW.
 
Në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, Suedia tradicionalisht e paangazhuar dhe fqinji i saj Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj të vitit të kaluar. Në samitin e Vilniusit, Suedia u zotua, ndër të tjera, të marrë masa më të ashpra kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e ndaluar si një “organizatë terroriste” në Turqi.
 
Hungaria ende bllokon
 
As Hungaria nuk e ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në aleancën e mbrojtjes.
 
Sipas Billström-it, Hungaria ripohoi angazhimin e saj se nuk do të jetë vendi i fundit që ratifikon anëtarësimin e Suedisë në NATO. “Kjo do të thotë se është më shumë në duart e Ankarasë sesa ndoshta në duart e Budapestit“, tha ai.