Maqedoni
Moti, reshjet rritën nivelin e ujit në lumenj e liqene
29.11.2023 14:14
Për shkak të reshjeve të shiut dhe borës që prej disa ditësh kanë kapluar vendin...

Për shkak të reshjeve të shiut dhe borës që prej disa ditësh kanë kapluar vendin, niveli i ujit në të gjithë lumenjtë dhe në liqenin e Ohrit është rritur. Për ditën e nesërme metereologët paralajmërojnë mot të ndryshueshëm me mjegull në orët e mëngjesit dhe diell gjatë ditës. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -5 deri në 2°C, kurse maksimalet nga 5 deri në 12°C.
Pas reshjeve të fundit të borës dhe shiut, Vardari ka nivel prej 90 centimetrash apo 38 centimetra më shumë në krahasim me periudhën para reshjeve. Rritjen më të madhe e ka lumi Sateska në pikën matëse pranë Botunit, ku niveli është 8,5 herë më i lartë. Rritje të theksuar të nivelit të ujit kanë pasur edhe lumenjtë Treska afër Makedonski Brodit me nivel më të lartë prej 79 centimetra, Vardari afër Jegunovcit me nivel më të lartë prej 54 centimetra dhe Drini i Zi afër Lozhanit me rritje prej 36 centimetrash.
Niveli i ujit të liqenit të Ohrit është rritur për një centimetër, ndërsa nivelet e dy liqeneve të tjerë natyrorë janë të njëjta me një dit më parë. Me këtë niveli i ujit të Liqenit të Ohrit është pesë centimetra më i lartë se mesatarja e muajit nëntor. Niveli i liqenit të Dojranit është gjithashtu më i lartë se mesatarja për 1,63 metra, ndërsa niveli i ujit të Liqenit të Prespës është 1,89 metra më i ulët se mesatarja shumëvjeçare për këtë periudhë të vitit. Por me gjithë rritjen e nivelit të ujit nuk bëhet fjalë për gjendje kritike. Meteorologët paralajmërojnë mot stabil ditëve në vazhdim deri të dielën kur pritet përsëri të rikthehen reshjet e shiut. Temperatura minimale do të ulet në minus dy derisa ajo maksimale do të arrijë deri në 17 gradë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
