Maqedoni

Masat alternative të dënimit, me dënimin me kusht, të relaksohen burgjet

29.11.2023 14:33

Gjyqësori në përpjekje për të relaksuar burgjet me masa alternative sikurse dënimi me kusht....

Gjyqësori në përpjekje për të relaksuar burgjet me masa alternative sikurse dënimi me kusht. Kjo nënkupton mosfutjen direkt pas grilave të shkelësve të ligjit, të cilët për herë të parë janë ndeshur me ligjin, por atyre t’u shqiptohet ndëshkim me kusht nën mbikëqyrje të shërbimeve të probacionit. Në Gjykatën Penale trajtimi i lëndëve me shqiptimin e masave alternative nga 2019-ta e këndej është në rritje, thotë gjykatësja, Risteva. Sipas saj me dënimet e kushtëzuara, shkelësit i jepet shansi që të korrigjohet.
 
“Dënimi me kusht nuk duhet të jetë dënim lakuriq, pa masa të mbikëqyrjes, të cilat gjykatësit duhet t’i shqiptojnë plotësisht që të mund shërbimi i probacionit të bëjë më tej mbikëqyrjen. Nëse shkelësi më tej nuk i përmbahet masave që ka përcaktuar gjyqi, atëherë ata persona mund të përfundojnë në burg.”, - deklaroi gjykatësja, Olja Risteva. 
 
Në Maqedoninë e Veriut aktualisht ekzistojnë 11 zyra të shërbimeve të probacionit në kuadër të gjykatave të shkallës së parë, ku 28 punonjës të trajnuar punojnë në 366 lëndë. Nëse për këto lëndë shqiptohej dënim me burg, të burgosurit do të mund t’i mbërthenin dy burgje, sikurse i Shtipit dhe Prilepit. Në mesin e gjykatësve ndëshkimi me kusht shikohet si zgjidhje afatgjate. Në takimin e përbashkët, përkrahje dhanë edhe drejtoria për shqiptimin e sanksioneve, si dhe Ministria e Drejtësisë.
 
“Zëvendësimi i dënimit me burg me masa alternative, posaçërisht zbatimi i ligjit për probacion është e një rëndësie të veçantë për uljen e mbingarkesës në burgje dhe përmirësimin e sistemit të burgjeve.”, - theksoi zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq. 
 
“Burgu nuk ik. Kjo është një praktikë pozitive dhe veç më kemi përvoja pozitive, me qëllim që të ruhen vendet e punës, familjet, por sërish të jenë të ndëshkuar. Edhe gjatë periudhës së koronës kishim në dispozicion masat alternative. Një pjesë e gjykatësve i aplikuan, megjithatë mjaft kishte dënime me burg dhe më pas u dha amnisti. Nuk ka nevojë për amnisti. Me shfrytëzimin e masave alternative, do të shihen efektet në praktikë.”, - u shpreh drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Jovica Stojanoviq. 
 
Aktualisht burgjet e vendit janë të mbingarkuara. Kapaciteti maksimal për të strehuar të burgosur është 2 mijë vende, ndërkohë që 3 mijë e 500 persona ende presin të vuajnë dënimin.
 
MERAL ISMAILI