Maqedoni

Kuvend, publikohet lista e kandidatëve për KShPK-në

29.11.2023 14:51

Komisioni për selektimin e kandidatëve ka publikuar listën e renditjes së kandidatëve të paraqitur për anëtarë të Komisionit...

Komisioni për selektimin e kandidatëve ka publikuar listën e renditjes së kandidatëve të paraqitur për anëtarë të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Nga 41 kandidatët e intervistuar me numrin më të madh të pikëve të fituara kryeson Tatjana Dimitrovska, ndërsa vijojnë Sofija Spasova Medarska, Biljana Karakashova Shulev, Besnik Xhemaili, Zoran Bogoevski, Cveta Ristovska, Servet Demiri.
 
Sipas listës së përcaktuar, Dimitrovska do të jetë kryetare e Antikorrupsionit në pesë vitet e ardhshme. Sipas këtij Komisioni, 12 kandidatë në bazë të përgjigjeve të dhëna gjatë intervistimit kanë treguar njohuri të mëdha në luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave, kanë paraqitur vizion të qartë dhe plan për punën e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe kanë treguar njohuri për të gjitha pyetjet e parashtruara. Për këtë çështje, mendim ndryshe ka anëtarja e Komisionit për selektim, Snezhana Kamilovska Tërpovska, si përfaqësuese për bashkëpunim mes Qeverisë dhe sektorit civil në sferën e demokracisë dhe sundimit të së drejtës.
 
Pas publikimit të listës së renditjes, përmes një letre drejtuar Kuvendit, vë në dukje votim të njëanshëm dhe të orkestruar nga anëtarët e tjerë të Komisionit. Ajo shprehet se ky është i vetmi mekanizëm ligjor për të shprehur publikisht opinionin e saj.
 
"Është e habitshme se si përfaqësuesit e tjerë të Komisionit për selektim gjetën kompromis pikërisht dhe vetëm për këta kandidatë, pavarësisht intervistave të dobëta, refuzimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtpërdrejta për situata sociale, si procesi i kapjes së shtetit, rastet e korrupsionit të lartë, që tashmë janë objekt i punës së KShPK-së aktuale, si dhe janë pjesë e situatave të konstatuara nga Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023, çështje që lidhen me lidhjet politike dhe gjyqësore, tregtimin e ndikimit, lobimin dhe ngjashëm. Përveç kësaj, kandidatët që treguan njohuri të shkëlqyera të fushës, gatishmëri për të dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të qartë dhe me kompetenca të shkëlqyera, nuk u vlerësuan mirë nga anëtarët e tjerë, gjë që i pengoi ata të luftonin për postin e kryetarit dhe anëtarit të KShPK-së.”, thuhet në letrën e Kamilovska-Tërpovskas.
 
Për të sqaruar situatën, TVM2 kontaktoi Berat Ajdarin, njërin nga anëtarët e Komisionit për selektim, sipas të cilit të gjithë anëtarët janë vlerësuar në bazë të meritave dhe se secili anëtarë i Komisionit ka dhënë vlerësim duke u bazuar në intervistat e tyre dhe dokumentacionin e dorëzuar. Për t’u anëtarësuar në KShPK, kandidatët duhet të marrin mbështetjen e deputetëve në seancë plenare. Mandati i anëtarëve aktual të Komisionit, Biljana Ivanovska, Vlladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikollovska, Nuri Bajrami, Goran Tërpenoski dhe Shemsi Sallai skadon më 7 shkurt të vitit të ardhshëm dhe ata nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje. Komisioni i ri duhet të fillojë së funksionuari më 8 shkurt të vitit 2024.
 
FLORIJE KAMBERI