Maqedoni
Konkluzionet e Komisionit për Onkologjinë, LSDM-ja dhe VMRO-ja i vazhdojnë mospajtimet
29.11.2023 15:07
Komisioni Anketues për skandalin në Klinikën e Onkologjisë sërish nuk do të mblidhet...

Komisioni Anketues për skandalin në Klinikën e Onkologjisë sërish nuk do të mblidhet, pavarësisht se afati për nxjerrjen e konkluzioneve është deri më 3 dhjetor. Ndaj moscaktimit të seancës reagojnë deputetët e LSDM-së dhe kërkojnë që deputetët e opozitës maqedonase mos të ikin, por të mblidhen pasi siç thonë si deputetë dhe anëtarë të Komisionit kanë obligim ndaj qytetarëve, ndaj pacientëve, të nxjerrim konkluzionet e duhura dhe të informojmë opinionin.
“Opinioni e sheh se DPMNE-së nuk i interesonte fare e vërteta, pacientët nuk ishin të rëndësishëm, nuk kishin ndërmend të merrnin asgjë. Vërtetohet ajo që kemi dyshuar që në fillim, se qëllimi i DPMNE-së është të pengojë hetimin e institucioneve kompetente dhe ta keqpërdorë për qëllime politike. DPMNE-ja në vend që të ikë, le të thërrasë menjëherë seancën e Komisionit Anketues për rastin e Onkologjisë.”, - theksoi Daniela Markoska nga LSDM-ja.
Nga VMRO-DPMNE-ja fajësojnë LSDM-në për përpjekje që të mos nxirren konkluzionet dhe prokuroria të mos hapë hetime. Sipas tyre, Komisioni Anketues nxori në pah shumë aspekte të këtij skandali dhe ato mund të jenë një bazë e mirë për një hetim të ardhshëm që do të bëhet nga një prokurori profesionale dhe e pavarur.
Ditë më parë kryetarja e Komisionit, Rashela Mizrahi, prezantoi disa konstatime dhe tha se në bazë të asaj që është punuar deri më tani është konstatuar përgjegjësi politike për ish-ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe; ish- drejtorët e atëhershëm të Onkologjisë, Nino Vasev, Nehat Nuhi dhe Irina Sotirova Bukova dhe drejtorët e atëhershëm të FSSh-së, Stevo Kërstevski dhe Faton Ahmeti. Deputetët e LSDM-së nuk u pajtuan me këto konkluzione dhe kërkuan dorëheqjen e kryetares së Komisionit. Vendimi për formimin e Komisionit Anketues është marrë më 20 shtator pas akuzave në opinion për abuzim me ilaçe në këtë klinikë. Edhe Prokuroria Publike ka hapur procedurë parahetimore.
SANIJE DURAKU
