Maqedoni
Osmani: BDI inkurajon zbardhjen e dëshmive
19.03.2015 17:12
Interferimi në pushtetin gjyqësor për zgjedhjen e gjykatësve dhe kryetarëve të gjyqeve, prokurorëve dhe krerëve të prokurorisë për BDI-në...

Interferimi në pushtetin gjyqësor për zgjedhjen e gjykatësve dhe kryetarëve të gjyqeve, prokurorëve dhe krerëve të prokurorisë për BDI-në nuk nënkupton ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor.
Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Bujar Osmanit, në bisedën mes nënkryetarit të qeverisë, Musa Xhaferit dhe drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkovit, Xhaferi, si zyrtar i angazhuar për zbatimin e MO-së, përpiqet të mbrojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në sistemin gjyqësor.
“Në rastin nuk ka absolutisht asgjë kompromituese, por është refleksion i realitetit, i politikave të BDI-së që i bën për çdo ditë dhe kjo absolutisht nuk është politizim. Ne flasim për paraqitje etnike. Aty nuk diskutojnë për emër konkret, por nëse do të jetë shqiptar ose do të jetë maqedonas. Për të respektuar Kushtetutën e RM-së në kuptim të përfaqësimit etnik në gjykata”- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, për “24Lajme” në gjuhën maqedonase.
Sa i përket paralajmërimit të kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, se një nga “bombat” do të jetë rasti “Monstra”, Osmani thotë se BDI inkurajon zbardhjen e dëshmive të mundshme lidhur me këtë rast.
Sipas tij, zbardhja e dëshmive të këtij rasti veç mund të jetë në favor të BDI-së.
“Me të vërtetë do të kishim dashur, nëse ka çfarëdo qoftë për atë rast, të publikohet. Unë mund të garantoj se në pjesën e funksionarëve të BDI-së nuk mund të ketë asgjë që mund të ndërlidhet me këtë rast, përveç qëllimit që të menaxhohet e gjithë situata”- tha Osmani.
Osmani përsëriti qëndrimin se BDI inkurajon publikimin e materialeve komprometuese edhe për zyrtarët e saj, nëse ekzistojnë materiale të tilla, ndërkaq partia do të mbrojë interesin kolektiv dhe nuk do t’i kursejë individët të cilët do të dëshmohet se kanë keqpërdorur pushtetin dhe kanë shkelur kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
BDI mbetet në qëndrimin se kriza politike duhet të zgjidhet në tre hapa, nisur nga konstatimi i krizës politike nga të gjitha palët, përmes dialogut dhe ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve deri te zgjidhja politike dhe juridike.
