Maqedoni
U arrestua J.A. nga Tetova, vendosi flamurin shqiptar në oborrin e kishës
29.11.2023 16:37
Është arrestuar për bisedë informative personi i cili dje vendosi flamurin shqiptar pranë flamurit maqedonas dhe kryqit në Kodër të Diellit...

Është arrestuar për bisedë informative personi i cili dje vendosi flamurin shqiptar pranë flamurit maqedonas dhe kryqit në Kodër të Diellit, pasi rasti u denoncua nga Kisha Ortodokse Maqedonase. Nga SPB-Tetovë thonë se i njëjti është arrestuar. Sipas tyre, bëhet fjalë për 33-vjeçarin me iniciale J.A. nga Reçica e Vogël e Tetovës, arrestimi ka ardhur në dyshimin se personi me iniciale J.A. ka larguar flamurin e Kishës Ortodokse Maqedonase në Kodër të Diellit dhe në vend të tij ka vendosur flamurin e Republikës së Shqipërisë.
“Ai dyshohet se nga shtiza e Manastirit “Shën Naumi” në Kodrën e Diellit gjatë ditës së djeshme, derisa nuk kishte njeri në objektin fetar, ai kishte hequr flamurin e Kishës Ortodokse Maqedonase-Arkipeshkopia e Ohrit dhe në vend të tij kishte vendosur flamurin e Republikës së Shqipërisë. Rasti është duke u pastruar dhe kundër J.A., i cili gjatë largimit të flamurit të kishës, ishte bashkë me një person tjetër, do të pasojë parashtresë përkatëse.”, - deklaroi zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, i cili kërkon nga faktori politik shqiptar të dënojë këtë veprim.
“Besoj se shumica e shqiptarëve e dënojnë këtë akt barbar të përdhosjes së flamurit të kishës. E vetmja gjë është se nuk kam parë asnjë përfaqësues të faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoni të dalë me dënim publik ndaj këtij akti. Dhe duhet. Prandaj i bëj thirrje liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, që ta dënojë publikisht këtë akt provokues vandalizmi.”, - thotë në reagimin e tij në fejsbuk, Stojançe Angellov.
Përndryshe, vendosja e kryqit në Kodër të Diellit, javë me parë pa leje paraprake shkaktoi përplasje dhe tensione në vend. Ndërsa dhe sot kryqi vazhdon të qëndrojë stoik edhe pse i njëjti nuk ka leje për vendosje. Nga komuna e Tetovës thonë se shumë shpejtë do të sillet vendimi për prishjen e kryqit dhe kërkoi që mos të bëhet politikë dhe nxitje ndëretnike e ndërfetare, por të veprohet sipas ligjit.
VISAR SADIKI
