Botë

OKB-ja thirrje për zgjatjen e armëpushimit në Gaza

29.11.2023 17:00

Organizata e Kombeve të Bashkuara vazhdon thirrjet për zgjatjen e armëpushimit në Gaza....

Organizata e Kombeve të Bashkuara vazhdon thirrjet për zgjatjen e armëpushimit në Gaza. Komisionari i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, theksoi se kjo situatë u dha pak lehtësi civilëve dhe se disa familje u ribashkuan me të afërmit e tyre pas një kohe të gjatë. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate tha se është e nevojshme një armëpushim i përhershëm, pasi armëpushimi disaditorë nuk i zgjidhë problemet.
 
"Qasja në ndihma humanitare duhet të sigurohet në të gjithë Gazën dhe kjo duhet të jetë e qëndrueshme. U bëj thirrje të gjithëve me ndikim të zgjasin armëpushimin për të drejtat e njeriut dhe arsye humanitare.”, - deklaroi komisionari i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
 
"Së pari, dua të them se armëpushimi ishte një hap në drejtimin e duhur, ishte një simbol i shpresës, por nuk i zgjidh problemet kryesore me të cilat përballemi. Kjo është arsyeja pse ne kemi këmbëngulur në nevojën e një armëpushimi humanitar të përhershëm, duke çuar në lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjitha pengjeve dhe në mundësinë për të pasur ndihmë efektive humanitare për të gjithë njerëzit në Gaza, kudo që jetojnë.", - theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
 
Banorët e Gazës: Kemi pushuar pak këto ditë
 
Qytetarët në Gaza kanë mirëpritur armëpushimin e përkohshëm, por duan armëpushim të përhershëm.
 
"Ne do të donim të shihnim një armëpushim të përhershëm, pasi të gjithë këtu jetojmë nën një presion të madh. Kemi pushuar pak këto ditë. Në familjen time jemi të shqetësuar çdo natë për bombardimin e mundshëm të nesërmen. Ne jemi vërtet mirënjohës për përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar në zgjatjen e armëpushimit edhe për dy ditë të tjera.”, - u shpreh banori vendas, Hazem Abu Dalal.
 
"Ushqimi dhe gjërat e tjera të nevojshme në Rripin e Gazës janë ende larg të qenit adekuat dhe nuk përmbushin as minimalisht nevojat tona. Nuk mund të përshkruaj me fjalë se si ndihem. Por, sidoqoftë këto ditë kemi pushuar nga makthi.”, - tha banori vendas, Mohamed Madhoun. 
 
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, me kritika kundër kryeministrit të Izraelit.
 
"Netanjahu, i cili ushtroi një nga mizoritë më të mëdha të këtij shekulli në Gaza, tashmë ka hyrë në histori si kasapi i Gazës. Kjo njollë nuk i përket vetëm Netanjahut, por të gjithë atyre, të cilët e mbështesin pa kushte. Kjo njollë turpi nuk do të lahet kurrë. Ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë krim kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera në Gaza, siç nuk do të harrojmë indiferencën e vendeve perëndimore me vetëm disa përjashtime.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
                                                               
Gjatë pesë ditëve armëpushim janë dorëzuar gjysma e pengjeve të rrëmbyera nga të dyja palët. Sipas marrëveshjes, grupi Hamas duhet të lirojë 50 pengje izraelite në këmbim të 150 pengjeve palestineze që mbahen në burgjet izraelite. Që nga fillimi i këtij konflikti janë vrarë mbi 15,000 palestinezë, shumica e tyre gra dhe fëmijë. Ndërsa nga pala izraelite jetën e kanë humbur rreth 1,500 persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU