Maqedoni

“Bomba e XII”, Zaev: gjyqësori në duart e pushtetit

19.03.2015 17:37

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, publikoi sot “bombën e XII” me radhë me audio-xhirimet e përgjuara, me të cilat, siç thonë nga kjo parti...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, publikoi sot “bombën e XII” me radhë me audio-xhirimet e përgjuara, me të cilat, siç thonë nga kjo parti, dëshmohet ndërhyrja politike në drejtësi dhe manipulimi me kallëzimet penale.
 
Sipas socialdemokratëve, kryeministri, Nikolla Gruevski, shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijalkov, dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, janë tre personat të cilët kanë udhëhequr me këtë sferë.
 
Në materialet e publikuara nga LSDM-ja dëgjohet se si Jankullovska kërkon nga Mijalkov që të ndërhyjë në gjykatë që MPB-ja të humb kontestin gjyqësor me një ish-pjesëtar të MPB-¬së, i cili i ka ndihmuar VMRO-DPMNE-së.
 
Në një tjetër bisedë, Protugjer dëgjohet teksa flet me ministren e Brendshme dhe i kërkon që të ndikojë në heqjen e kallëzimit penal për një mik të tij dhe si Stavrevski kërkon që të bllokohet zgjedhja e një gjykatëse. 
 
“Do të dëgjoni se si persona të pafajshëm bllokohen, si krijohen fatet për njerëzit, si përcaktohen gjyqtarët dhe prokurorët, si brenda partisë dakordohet emërimi i gjyqtarëve, se si porositen vendime gjyqësore dhe si bëjnë plane për hakmarrje për bashkëpunëtorët e pakujdesshëm. Në Maqedonia nuk sillen vendime gjyqësore, por ato urdhërohen”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
LSDM-ja publikoi bisedat telefonike ku dëgjohet ish-kryeprokurori, Ljupço Shvërgovski, se si intervenon tek Jankullovska që djali i kryetares së Gjykatës së Apelit të zgjidhet prokuror, por duhet të lusë ministrin e atëhershëm të Drejtësisë, Blerim Bexhetin, pasi që ky vend i takonte BDI-së. 
 
Po ashtu u publikua biseda mes ish-ministrit Bexheti me zëvendëskryeministrin, Musa Xhaferi, prej të cilit Bexheti kërkon leje që të pranojë kërkesën e Jankullovskës, ndërsa Xhaferi i kërkon Bexhetit që vendet e liruara të kompensohen me vende të tjera. 
 
Duke komentuar kërkesën e PP-së që BE-ja të ketë vetëm rol monitorues, Zaev tha se nëse kryeprokurori, Marko Zvërlevski, mendon se “proceset gjyqësore do të monitorohen nga faktori ndërkombëtar siç është monitoruar rasti “Monstra”, por ai po e mashtron veten”.  
 
“Zvërlevski duhet të japë dorëheqjen, por dhe Jovan Ilievski, udhëheqës i Sektorit për Krim të Organizuar në Prokurori dhe njëkohësisht baxhanak i Sasho Mijalkovit, gjithashtu të dorëhiqet. Ata duhet të heqin kanxhat e tyre nga prokuroria që më në fund të arrijë drejtësia”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Kreu i LSDM-¬së, Zoran Zaev, ka ironizuar deklaratat e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçit, se do të përfshihet në qeveri.
 
Zaev pyeti se “në cilën qeveri do të futet PDSH-ja kur qeveri nuk ka”. 
 
Zaev, nuk pranoi të japë emrat e diplomatëve amerikanë që kanë qenë të përgjuar nga Shërbimet Sekrete të Maqedonisë.
 
Ai tha se publikimi i emrave të tyre mund të përbëjë shkelje të Konventës së Vjenës, por bëri të ditur se të gjithë diplomatëve të përgjuar tanimë u janë dhënë materialet personalisht.
 
SANIJE KASAMI