Maqedoni
Institutit për Shëndet Publik: edhe 6 raste të reja me “Tularemi”
19.03.2015 17:40
Edhe gjashtë raste të reja janë paraqitur me sëmundjen infektive të “Tularemisë”...

Të dhënat e Institutit për Shëndet Publik thonë se nga 13 raste, sa kishte mbrëmë, sot numri i të prekurve me “Tularemi” është rritur në 19.
“Sot, Komisioni për Sëmundje Ngjitëse kishte përsëri mbledhje dhe vazhdimisht do të ketë mbledhje, sepse ashtu është gjendja epidemiologjike. Prej 6 rasteve të reja, 3 janë nga fshati Lozovë, ndërsa 3 raste të tjera janë një nga fshati Grushinë, një nga Haraçina dhe një nga Opaja e Kumanovës. Personat e infektuar kanë marrë terapinë e duhur dhe njëri prej tyre aktualisht është duke u shëruar në klinikën e Shkupit, ndërsa të tjerët janë në shërim shtëpiak”- deklaroi Jovanka Kostovska nga Klinika Infektive.
Kostovska tha se meqë nga fshati Llozovë ka 11 raste, komisioni ka vendosur që Qendra e Institutit Publik në Veles të shpall gjendje epidemiologjike në atë rajon.
Sipas saj, komisioni në mbledhjen e sotme ka rekomanduar që në zonat e prekura nga kjo sëmundje të merren masa për pastrimin e ujit, si dhe në rajonet e vërshuara, veçanërisht në objektet individuale, të ndiqet gjendja e ujit dhe të njoftohet Ministria e Shëndetësisë.
Popullatës u rekomandohet, nëse vërejnë simptome te kafshët, të paraqiten te Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, me qëllim që sëmundja të mos bartet edhe te njerëzit.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
