Maqedoni

Vazhdon kërkimi për Vanjën, përfshihet edhe Interpoli

30.11.2023 09:58

Kërkimi për 14-vjeçaren, Vanja Gjorçevska, e cila u zhduk në Shkup...

Kërkimi për 14-vjeçaren, Vanja Gjorçevska, e cila u zhduk në Shkup, po hyn në ditën e katërt. Siç informoi MPB-ja, nga Interpoli është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.
 
Nga Policia e Maqedonisë thonë se janë marrë masa të menjëhershme për gjetjen e 14-vjeçares, janë përfshirë kapacitetet e plota të shërbimeve policore në nivelin më të lartë, janë zhvilluar një sërë bisedash me persona të afërt me të miturën dhe janë kontrolluar kamerat. Informacioni për vajzën e zhdukur është vendosur edhe në Stop-listën e pikave kufitare.
 
Vanja Gjorçevska është zhdukur mëngjesin e së hënës në Shkup, rrugës për në shkollën “Pestaloci” afër “Debar Maalo”. Herën e fundit ajo është parë në bulevardin e “Aradhat Partizane” përballë “Broz Kafe”, prej ku iu humb çdo gjurmë.
 
“Vajza është e gjatë 175 centimetra dhe peshon 58 kilogramë. Ajo ka flokë kafe të errët, sy kafe, mban proteza në dhëmbët e sipërm dhe të poshtëm dhe ka një nishan në anën e djathtë të fytyrës. Para zhdukjes ajo kishte veshur një bluzë blu, xhaketë të zezë, xhinse të zeza me xhepa anash, atlete të bardha me vija kafe. Ajo mbante një çantë shpine shkolle dhe një celular iPhone.”, njoftoi MPB-ja.