Maqedoni
Thaçi: nuk zhvillojmë negociata, por bisedime me VMRO-në
19.03.2015 17:51
Ka bisedime, por jo edhe negociata për hyrje në qeveri, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi...

Ka bisedime, por jo edhe negociata për hyrje në qeveri, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, pas takimit me ambasadorin amerikan në vend, Xhes Bejli.
Sipas tij, edhe bisedimet duken larg realizimit për shkak të qasjes joserioze të qeverisë për zhbllokimin e procesit eurointegrues.
“Nuk kam thënë se negociojmë, por ne bisedojmë me VMRO-në dhe fjalia ime që sot vërtetohet është se ende nuk kemi mbërri tek kjo temë e mundësisë së hyrjes së PDSH-së në qeveri. Sot sërish e përsëris të njëjtën fjali, jemi shumë larg kësaj teme shkaku sepse sinqerisht nuk vërej ende ndonjë qasje serioze të Qeverisë së Maqedonisë për ta debllokuar procesin integrues”- deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Thaçi vlerësoi se me situatën e krijuar dhe me bllokimin e procesit integrues gjendja në Maqedoni po bëhet më e vështirë, andaj duhet të jemi shumë të përgjegjshëm të gjithë.
Kreu i PDSH¬-së po ashtu e njoftoi ambasadorin se drejtuesit e kësaj partie që prej viteve 93 kanë qenë të ndjekur, të përgjuar dhe se asnjë individ për këto përgjime nuk ka dalë para drejtësisë.
Prandaj ai e sheh të nevojshme ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar me vëzhgim dhe asistim të plotë ndërkombëtar, ku do të përfshiheshin të gjitha rastet e këtilla që nga viti 93.
“Çështja e përmbylljes juridike të kësaj situate do jetë e përgjysmuar, shumë qytetarë dhe aktorë, që marrin pjesë në këtë, do të jenë tërësisht të pakënaqur me atë vendim. Unë mendoj se propozimi i PDSH-së për komision anketues dhe ky komision të krijojë një situatë kredibile për ato institucione që do të marrin vendime është propozimi më i mirë. Pa u zbardhur këto çështje prej vitit 92 nuk do të jenë të besueshme”- tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Thaçi ka thënë se Partia Demokratike Shqiptare me politikën e saj do të vazhdojë të kontribuojë dhe të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euro¬atlantike të vendit.
FLORIJE KAMBERI
