Botë
Zgjatet edhe më tej armëpushimi në Gaza, Blinken: Ky proces jep rezultate, duhet të vazhdojë
30.11.2023 14:44
Pak minuta para përfundimit të "pauzës humanitare" në Rripin e Gazës..

Pak minuta para përfundimit të "pauzës humanitare" në Rripin e Gazës, ushtria izraelite njoftoi për zgjatjen e kësaj pauze, pa përcaktuar kohëzgjatjen. Ndërsa grupi palestinez Hamasi njoftoi se pauza humanitare do të zgjatet edhe për një ditë. Sekretari i shtetit amerikan, Antoni Blinken, gjatë një takimi në Tel Aviv me presidentin e Izraelit u shpreh se armëpushimi jep rezultate pozitive.
"Ne kemi parë gjatë javës së fundit një zhvillim shumë pozitiv, pengjet që kthehen në shtëpi duke u ribashkuar me familjet e tyre dhe kjo duhet të vazhdojë. Gjithashtu ka mundësuar që ndihmat humanitare t'u shkojnë civilëve të pafajshëm në Gaza, të cilët kanë nevojë dëshprimisht për të. Kështu që ky proces po jep rezultate, është i rëndësishëm dhe ne shpresojmë se mund të vazhdojë.", - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Antoni Blinken.
"Ne po punojmë, lutemi dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve. Dhe falënderoj ShBA-në për punën e pamasë që po i kushton lirimit të pengjeve. Në duart e Hamasit në Gaza janë ende rreth 150 pengje.”, - theksoi presidenti izraelit, Isaac Herzog.
Ndërkohë lirimi i pengjeve nga të dyja palët edhe më tej vazhdon.
"Ne u liruam falë gjakut të derdhur nga dëshmorët dhe falë sakrificave të familjeve që u fshinë nga regjistri civil në Gaza.”, - u shpreh palestinezja e liruar nga burgu, Suhair Al-Barghouti.
"Ai, oficeri izraelit, më tha fjalë për fjalë t'u ndalohet të shkruani qoftë edhe një letër të vetme në Fejsbuk ose Tuiter dhe ne po presim me padurim për t’u riarrestuar. Madje ai tha se do të jeni i burgosuri i parë që do të riarrestoheni pas marrëveshjes së shkëmbimit. Ndoshta keni qenë me fat që u liruat falë marrëveshjes, por ne mund t'ju arrestojmë përsëri në çdo kohë dhe dënimi do të jetë më i ashpër.", - theksoi palestinezja e liruar nga burgu, Lama Khater.
Ndërkohë nga të shtënat me armë zjarri në Kudsin Perëndimor u vranë 3 izraelitë. Përkundër kritikave për armatosjen e civilëve në Izrael dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, nga vendndodhja e sulmit, apeloi për rritje të armatosjes individuale.
“Kjo ngjarje dëshmon përsëri se si ne nuk duhet të tregojmë dobësi. Si duhet të flasim me Hamasin vetëm përmes pushkës, vetëm përmes luftës. Kjo ngjarje po dëshmon një tjetër gjë, se sa e rëndësishme është politika e shpërndarjes së armëve. Pavarësisht kritikave të njerëzve të ndryshëm, unë do ta mbaj politikën e shpërndarjes së armëve në çdo vend.", - u shpreh ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Sipas raporteve të mediave izraelite, rreth 25,000 armë, municione dhe materiale të tjera luftarake, u blenë nga kompani izraelite dhe të huaja si pjesë e fushatës së Ben-Gvir për të armatosur civilët dhe kolonët pas ngjarjeve të 7 tetorit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
