Botë

Rusia bombardon qytetet ukrainase, dhjetëra të plagosur dhe disa të vrarë

30.11.2023 15:00

Ushtria ruse ka lëshuar raketa në disa qytete të Ukrainës....

Ushtria ruse ka lëshuar raketa në disa qytete të Ukrainës. Vendbanimet Pokrovsk, Novohrodivka dhe Myrnohrad u vunë nën zjarr. Si pasojë e granatimeve janë plagosur 10 persona, mes tyre katër fëmijë. Sipas policisë, njëra prej predhave ka rënë në oborrin e një shtëpie private ku banonte një familje me dy fëmijë. Shpërthimi shkatërroi muret dhe çatinë e shtëpisë dhe njerëzit mbetën të bllokuar nën rrënoja.
 
"Ka ndodhur një sulm me raketë që goditi drejtpërdrejt një ndërtesë banimi. Pesë persona u plagosën, dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Fatkeqësisht, njëri u gjet i vdekur. Ne jemi duke kërkuar nën rrënoja edhe katër persona të zhdukur.”, - deklaroi kreu i Administratës Ushtarake në Novohrodivsk, Oleksandër Shevchenko.
 
"Gjatë natës u shpëtuan nga godina 5 persona, mes tyre një fëmijë, i cili u hoq nga rrënojat, u zhbllokua dhe iu dorëzua ndihmësve për në spital.”, - theksoi zëdhënësi i Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, Stanislav Baldin.
 
“Nuhatëm erën e tymit. Kur dolëm jashtë pamë që shtëpia ngjitur ishte shkatërruar.”, - u shpreh banorja në Novohrodivka, Anzhelika Kaliuzhna.
 
"Unë jetoj në një vend tjetër. Këtu ndodhi një shpërthim dhe  fqinjët me thirrën për nënën time, ajo jeton këtu. Falë Zotit që është gjallë, por nëna është tronditur, pasi i ka mbijetuar një sulmi. Shtëpia është shkatërruar, por ajo mrekullisht ka shpëtuar.”, - tha banorja e Novohrodivka, Serhi.
 
"Ne ishim duke fjetur  në momentin e shpërthimit. Kur dola në dritare e pash që ishte afër nesh. Akoma po dridhem nga frika.”, - theksoi banori i Novohrodivka, Liubov.
 
"Më thirrën në punë dhe më thanë se kjo është ajo që ndodhi. Janë lënduar djali im dhe nipi. Djali im ka lëndime të rënda në fytyrë dhe këmbë.", - u shpreh banori i Pokrovsk, Volodimir.
 
Rusia filloi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022. Nga ky konflikt gati dy vjeçar, jetën e kanë humbur mijëra civilë. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU