Ekonomi
Nga 1 dhjetori, tarifa e lirë e rrymës, KRRE: Përfitojnë 170 mijë amvisëri
30.11.2023 15:48
Nga 1 dhjetori do të rikthehet tarifa e lirë ditore për energjinë elektrike....

Nga 1 dhjetori do të rikthehet tarifa e lirë ditore për energjinë elektrike. Ky vendim është marrë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.
Tarifa e lirë do të vlejë nga ora 13:00 deri në 15:00 dhe do të jetë në dispozicion për rreth 170 mijë konsumatorë që kanë orëmatës digjital dhe ata që kanë qasje të papenguar në njehsorët EVN. Të gjithë të tjerët do ta kenë këtë mundësi deri në fund të muajit, pasi ekipet e EVN-së do t’i konfigurojnë orëmatësit, njoftojnë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.
Sipas KRRE-së, vendimi për rikthimin e tarifës së lirë ditore konsiderohet si një masë domethënëse në kuadër të sfidave ekonomike dhe energjetike, me të cilat përballet vendi. KRRE-ja theksoi se EVN-ja, si shpërndarës i energjisë elektrike ka afat prej 4 muajve për të harmonizuar të gjithë 700 mijë orët e amvisërisë.
Nga EVN-ja thonë se ndryshimi pritet të ndikojë pozitivisht tek konsumatorët, duke u mundësuar atyre të ulin kostot e energjisë elektrike me përfitim nga çmimet e favorshme gjatë periudhës së caktuar të ditës. Sipas kësaj kompanie, kjo masë pritet të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të burimeve energjetike dhe të ndihmojë në fushën e efikasitetit energjetike në vend. Me kthimin e tarifës së lirë ditore për 2 orë nga 13:00-15:00, energjia elektrike e lirë do të faturohet në gjithsej 11 orë brenda 24 orëve, duke përfshirë edhe tarifën e lirë të natës nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit.
