Maqedoni
Shkup, trafik i limituar dhe rrugë të bllokuara
30.11.2023 16:10
Samiti i OSBE-së ndryshoi dinamikën e zhvillimeve në Shkup....

Samiti i OSBE-së ndryshoi dinamikën e zhvillimeve në Shkup. Kryeqyteti u kaplua nga një gjysmë heshtjeje si pasojë e trafikut të reduktuar dhe rrugëve të bllokuara kryesisht duke filluar nga Qeveria dhe rrugëve përreth objektit sportiv “Boris Trajkovski”, ku mbahet samiti. Nga Ministria e Brendshme apelojnë qytetarët që t’i përmbahen rregullit të tjetërsuar të trafikut.
Plotësisht të bllokuara mbeten rrugët “Ilinden”, “Shën Klimenti i Ohrit”, të cilat ndërlidhen në pjesën ballore të godinës së Qeverisë dhe më pas bulevardi “Lubjanska”, që shpie drejt sallës sportive “Boris Trajkovski”. Gjithashtu, sipas informacioneve të policisë, të bllokuara do të mbeten rrugët që shtrihen në perimetër të objektit “Boris Trajkovski”.
Bëhet fjalë për bulevardet “8 shtatori”, “Skupi” dhe “Arradhat Maqedonase”. Transporti publik në kryeqytet është me qarkullim të reduktuar. Qytetarët, të habitur me heshtjen që ka kapluar Shkupin.
“Gjithsesi se është prishur lëvizja. Jemi peng i teatrit të lartë, të cilin po na e imponojnë dhe kështu njeriu i rëndomtë do të vuajë.”, - u shpreh një qytetare.
“Po pres autobusin me numër 27, duhej të mbërrinte para 15 minutave dhe ende nuk ka mbërritur. Nuk ka autobusë, jam i çuditur se duhej të vinte.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Edhe Administrata Publike ka pushuar sot së punuari, ndërkohë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nuk kanë vijuar mësimet. Vetëm kopshtet kanë përkujdesur fëmijët, si dhe spitalet kanë pranuar pacientët për kontrollet e tyre të rregullta, por edhe emergjente. Ekipet e ndihmës së shpejtë kanë qarkulluar pa problem nëpër qytet.
MERAL ISMAILI
