Botë
Kuvendi i Kosovës, opozita kritikon Qeverinë për masat e BE-së
30.11.2023 16:33
Opozita kosovare me kritika ndaj Qeverisë, lidhur me vërejtjet që Komisioni Evropian...

Opozita kosovare me kritika ndaj Qeverisë, lidhur me vërejtjet që Komisioni Evropian i thekson në raportin për Kosovën, si dhe për masat në fuqi ndaj Kosovës të vendosura nga BE-ja.
“Në historinë e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, raporti për vendin e KE-së për Kosovën për vitin 2023, publikohet duke qenë Kosova nën sanksione politike dhe financiare po nga BE-ja, gjë që e konfirmon edhe raporti për vendin. Ne synojmë agjendën evropiane, por jemi nën sanksione.”, - deklaroi Ilmi Reçica nga PDK-ja.
“Derisa sot po diskutojmë për të gjeturat e këtij raporti, gjendja jonë është edhe më e rëndë se ajo që është pasqyruar në këtë raport, kjo për faktin se kemi masa nga BE-ja për Kosovën. Gjithashtu, është edhe më e rënduar sepse nuk shohim asnjë angazhim të institucioneve tona për të ndërmarrë veprime konkrete për largimin masave nga BE-ja. Siç e dimë, masat e BE-së përfshijnë shumë të madhe monetare prej 295 milion euro, e cila ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e qytetarëve tanë.”, - theksoi Rezarta Krasniqi nga LDK-ja.
Bislimi: Kosova ka bërë hapat e duhur për heqjen e masave
Për ndikimin e masave të BE-së ndaj Kosovës foli edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili tha se ato kanë pasur ndikim edhe në përpilimin e raportit. Por, Bislimi ka thënë se Kosova ka bërë hapat e duhur për heqjen e masave.
“Masat që janë në fuqi bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos me iniciativat e fundit, siç janë plani i rritjes dhe ai për tregun unik. Kosova ka bërë hapat e duhur, prandaj është shumë e rëndësishme që BE-ja sa më shpejtë t’i tërheq këto masa, të cilat janë të kthyeshme në mënyrë që fokusi të kthehet në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Bislimi njëherit theksoi se Qeveria e Kosovës ka vazhduar me agjendën ambicioze të reformave drejt BE-së, që theksohet edhe në raportin e Komisionit Evropian.
GYLTENE SINANI
