Maqedoni

Rasti "Monstra", kërkesat e të akuzuarve, Aziri, janë të pabaza

30.11.2023 16:56

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë si të pabaza kërkesat e palës mbrojtëse në rastin "Monstra"...

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë si të pabaza kërkesat e palës mbrojtëse në rastin "Monstra" për shqyrtim me mjet të jashtëzakonshëm të aktvendimit të plotfuqishëm nga Gjykata Penale dhe ajo e Apelit për të akuzuarit, Haki Aziri dhe Fejzi Aziri, konfirmojnë nga Gjykata Supreme. Meqenëse sipas aktvendimit të Gjykatës Penale për këta dy të akuzuar ligjërisht nuk lejohet ankesa në Gjykatën Supreme, mbrojtja kishte kërkuar rishqyrtim me mjet të jashtëzakonshëm juridik. 
 
Sipas vendimit të plotfuqishëm ligjor, Haki Aziri i akuzuar për ndihmë të veprës “Terrorizëm” është dënuar me 9 vite burg, ndërsa Fejzi Aziri, i akuzuar për organizim terrorist u dënua me 15 vite burg. Muaj më parë supremja vërtetoi aktvendimin edhe për 3 të akuzuarit me burg të përjetshëm, Agim Ismailoviq, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, duke hedhur poshtë ankesat e tyre si të pabaza. Rasti "Monstra" kaloi gjykimin dhe rigjykimin, ku përfundimisht u liruan dy të akuzuar nga akuza, dy dënime u zvogëluan dhe u vërtetuan 3 burgime të përjetshme.
 
FLORIJE KAMBERI