Botë
Lufta Izrael – Hamas, Izraeli fillon ofensivën pas armëpushimit
01.12.2023 08:54
Ashtu sikurse e kishte paralajmëruar Izraeli rifilloi operacionet luftarake kundër Hamasit në Gaza....

Ashtu sikurse e kishte paralajmëruar, Izraeli rifilloi operacionet luftarake kundër Hamasit në Gaza pas përfundimit të armëpushimit shtatëditor. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, akuzoi Hamasin se nuk ka pranuar të lirojë pengje të tjera duke shkelur kushtet e armëpushimit. Grupi militant nuk i liroi të gjitha gratë e marra peng, siç ishte rënë dakord dhe sulmoi Izraelin me raketa mëngjesin e së premtes.
Mediat palestineze dhe Ministria e Brendshme e Gazës raportuan për sulme ajrore në të gjithë enklavën pas skadimit të armëpushimit, duke përfshirë edhe Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, ku gjashtë persona humbën jetën. Sulmet ajrore goditën jugun e Gazës, duke përfshirë komunitetin Abasan në lindje të qytetit të Khan Jounis, ku mbetën të vrarë disa persona. Një tjetër sulm goditi një shtëpi në veriperëndim të qytetit të Gazës, ku dy fëmijë humbën jetën.
Në Izrael, sirenat e alarmit u ndezën në disa zona duke paralajmëruar për sulm me raketa. Shumica e popullsisë së Gazës tani është strehuar në jug, duke ngritur pikëpyetje se ofensiva izraelite mund të shkaktojë viktima. Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, ka përfunduar vizitën e tij për të tretën herë në Izrael ku paralajmëroi Izraelin se duhet “të marrë çdo masë të mundshme për të shmangur dëmtimin e civilëve”, një mesazh i qartë nga ShBA-ja se duhet të ketë ndryshim të taktikave të luftës, për të shmangur vrasjen e mijëra civilëve të tjerë palestinezë.
