Maqedoni

Diplomaci, Fajon: Tejkaloni ndryshimet kushtetuese

01.12.2023 12:51

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon...

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, fton të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, si pengesë e vetme në rrugën evropiane të vendit, duke ofruar mbështetjen e pa rezervë të shtetit slloven në këtë rrugëtim. Në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, kur do të hapet klasteri i parë i negociatave, Sllovenia do ta japë ndihmën e saj, që Evropa sa më shpejtë të zgjerohet dhe të jetë më e fortë, u shpreh Fajon.
 
“Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjitha partive politike përgjegjëse në vend që t’i bëjnë hapat e nevojshëm siç është ndryshimi i Kushtetutës që të mundet ky proces i zgjerimit të vazhdojë. Kjo është një përgjegjësi ndaj shtetasve të vendit dhe  është vendim kyç, që të mundet RMV-ja të shkojë drejt ardhmërisë evropiane. Sot zgjerimi është bërë urgjencë gjeostrategjike në një mënyrë për shkak të konflikteve dhe luftërave nga njëra anë, agresioni rus dhe konflikti në Lindjen e Mesme.”, - deklaroi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon.
 
Mariçiq: Ndryshimet kushtetuese, parakusht i vetëm
 
Sllovenia gjithmonë ka qenë e zëshme në mbështetjen e fuqishme për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimorë ku si prioritet ka parë gjithmonë RMV-ja, por çdo hap i ardhshëm në procesin e negociatave do të varet nga ne, shprehet zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
 
“Javën e ardhshme e rrumbullaksojmë tërësisht procesin e skriningjeve shpjeguese bilaterale dhe më tej vetëm prej nesh do të varet çdo hap i ardhshëm në procesin dhe dinamikën negociatave. Pranimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet parakusht i vetëm dhe kryesor që të vazhdojmë më tej, ndërsa çdo shtyrje dhe pasiguri e negociatave për anëtarësimin tonë të plotë do të ishte një vendim politik i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. 
 
Me këtë rast të dy homologët nënshkruan memorandumin për bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim për periudhën 2023-2024. Me këtë marrëveshje janë ndarë 2 milion e 100 mijë euro mjete nga Sllovenia, të dedikuara për zhvillim, të cilat do të investohen në 5 projekte infrastrukturore.
 
FLORIJE KAMBERI