Kulturë

Gostivar, më 21 mars mbahet manifestimi “Ditët e Vardarit”

19.03.2015 18:27

Këshilli Rinor i Komunës së Gostivarit, me manifestimin kulturor “Dita e Vardarit” do të mirëpret ardhjen e stinës së Pranverës në qytetin e Gostivarit...

Këshilli Rinor i Komunës së Gostivarit, të shtunën, më 21 mars, do të organizojë manifestim për shënimin e ditës së Pranverës.
 
Atibe Arifi, kryetare e Këshillit Rinor, përmes konferencës për shtyp, të mbajtur në mjediset e parkut të madh të qytetit ku dhe do të zhvillohen aktivitetet, bëri me dije agjendën e manifestimit “Dita e Vardarit”, që tashmë për çdo vit organizohet në qytetin e Gostivarit.
 
“Me rastin e shënimit të ditës së Pranverës, më 21 mars, do të organizohet manifestimi tashmë tradicional i quajtur “Dita e Vardarit”. Qëllimi i këtij manifestimi është që përmes disa aktiviteteve të gërshetuara të nxitet vetëdija e qytetarëve për një mjedis më të pastër dhe që të ruajmë atë që e kemi, pra pjesën më të bukur të qytetit, parkun e madh të qytetit”- deklaroi kryetarja e Këshillit Rinor, Atibe Arifi.
 
Aktivitet e manifestimit “Dita e Vardarit” do të fillojnë nga ora 9 e mëngjesit dhe do të vijojnë deri në orët e pasdites.
 
“Atë ditë do të kemi disa aktivitete duke filluar nga ora 9 në mëngjes. Do të fillojmë me ngjyrosjen e një pjese të murrit të Spitalit të Gostivarit, duke shënuar grafite me mesazhe sensibilizuese për rininë, që pjesëtarët e rinisë të jenë më aktiv, të jenë më inovativë dhe kreativë. Pastaj, përgjatë shtratit të lumit Vardar do të vendosen 500 goma të ricikluara dhe që do të kryejnë rolin e saksive, ku do të mbillen lule. Njëkohësisht, përveçse do të zbukurohet kjo pjesë e lumit Vardar, do të shërben edhe si barrierë apo mbrojtje për fëmijët që të mos afrohen shumë shtratit të lumit Vardar. Gjatë tërë kohës do të ketë edhe performancë të DJ-ve lokal dhe që do të na shoqërojnë me muzikë”- tha Arifi.
 
Nga Këshilli Rinor i Komunës së Gostivarit bënë thirrje deri tek qytetarët e Gostivarit për pjesëmarrje në këtë eveniment kulturor.
 
“Mbetet të ftojmë të gjithë qytetarët që të na bashkëngjiten, pasi që përveç vullnetarëve të Këshillit Rinor, do të marrin pjesë edhe Administrata e Komunës së Gostivarit, si dhe stafi i Shkollës së Mesme Teknike komunale që na ndihmoi në larjen dhe ngjyrosjen e gomave të ricikluara. Po ashtu do të jenë edhe vullnetarët e organizatës së Kryqit të Kuq në Gostivar”- përfundoi Arifi.
 
Manifestimi tradicional “Dita e Vardarit” simbolikisht shënon fillimin e stinës së Pranverës në vendin tonë.
 
LULZIM HAZIRI