Humbje minimale e Ballkanit
01.12.2023 13:39
Ballkani ka pësuar disfatë 0-1 ndaj Plzen, në ndeshjen e xhiros së pestë të grupeve të Conference League....

Ballkani ka pësuar disfatë 0-1 ndaj Plzen, në ndeshjen e xhiros së pestë të grupeve të Conference League, takim ky i luajtur në “Air Albania”. Kështu, një javë para fundit, Plzen kryeson grupin me pikët e plota (15), kundrejt Ballkanit të Ilir Dajës që e sheh veten në vendin e katërt me 4 pikë (ndeshja e radhës ndaj D.Zagreb). Se kush do ia dalë të marrë vendin e dytë do shikohet në fund, pasi Dinamo Zagreb ka 6 pikë dhe Astana 4 pikë. Matematika e kualifikimit duket e thjeshtë, duhet fituar në Zagreb dhe Astana nuk duhet të triumfojë me Plzenin.
GRUPI C
Ballkani - Viktoria 0-1
(Shulc 81)
Astana - Dinamo 0-2
(Vidoviç 48, Kaneko 79)
Renditja
1. Viktoria 5 5 0 0 6-1 15
2. Dinamo 5 2 0 3 7-5 6
3. Ballkani 5 1 1 3 3-4 4
4. Astana 5 1 1 3 4-10 4
Lugano me shqiptarët mundet nga Bodo
Mbrojtësi Albian Hajdari ka asistuar të enjten mbrëma në disfatën e thellë të Luganos në udhëtim te Bodo/Glimti, me rezultatin 5:2. Ndeshja i ka takuar xhiros së parafundit të Grupit D të Ligës së Konferencës. Hajdari asistoi në golin për 3:1, në minutën e 69-të. Për 20-vjeçarin ishte asistimi i tretë i edicionit aktual në 20 paraqitje në të gjitha garat. Ai luajti deri në minutën e 84-t. Qendërmbrojtësi i Kosovës, Kreshnik Hajrizi, mesfushori Uran Bislimi dhe portieri Amir Shaipi, e kompletuan ndeshjen, ndërsa nga minuta e 63-të luajti edhe Shkëlqim Vladi. Lugano pas pesë ndeshjeve ka katër pikë, pa gjasa për ta kaluar grupin. I fundit është Beshiktashi me një pikë. Tutje kanë kaluar Club Brugge dhe Bodo/Glimt.
GRUPI D
Bodo/Glimt - Lugano 5-2
(Pellegrino 40, 79, Fet 52, Berg 66, Kapskarmo 89 / Celar 69, Babiç 86)
Beshiktash - Club Brugge 0-5
(Nielsen 4, Thiago 14, 46, Onyedika 51, Skov Olsen 69)
Renditja
1. Club Brugge 5 3 1 0 12-2 13
2. Bodo/Glimt 5 3 1 1 10-5 10
3. Lugano 5 1 1 3 6-12 4
4. Beshiktash 5 0 1 4 5-14 1
Muçi shënon gol në disfatën e Legias
Aston Villa ka triumfuar në Angli ndaj Legias së Muçit me rezultatin 2-1. Autori i golit të miqve ishte pikërisht Muçi, ku sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi një gol fantastik, por që nuk mjaftoi. Me këtë rezultat, Aston Villa ka siguruar kualifikimin nga grupi, ndërsa Legia do të duhet të presë sfidën e ardhshme.
GRUPI E
AZ Alkmaar - Zrinjski 1-0
(Pavlidis 59-11m)
Aston Villa - Legia 2-1
(Diaby 4, Moreno 59 / Muci 20)
Renditja
1. Aston Villa 5 4 0 1 11-6 12
2. Legia 5 3 0 2 8-6 9
3. AZ Alkmaar 5 2 0 3 7-10 6
4. Zrinjski 5 1 0 4 5-9 3
Fenerbahce “ha shuplakë”
Nordsjaelland ka shpërfytyruar Fenerbahcen, duke e mposhtur me rezultatin e thellë 6-1. Fiorentina ka arritur të fitojë me vështirësi ndaj Genk, me italianët që triumfuan me rezultatin 2-1 dhe siguruan kualifikimin.
GRUPI H
Nordsjaelland - Fenerbahçe 6-1
(Hey 21, Svensson 25, Nygren 55, 75, 84, Rasmussen 66 / Batshuayi 44)
Spartak Tr. - Ludogorec 1-2
(Daniel 78 / Duah 74, Tissera 90+5)
Renditja
1. Nordsjaelland 5 3 1 1 17-6 10
2. Ludogorec 5 3 0 2 10-11 9
3. Fenerbahçe 5 3 0 2 9-11 9
4. Spartak 5 0 1 4 3-11 1
Daja: Kemi pasur probleme prej mungesave
Në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”, kampioni i Kosovës pësoi minimalisht 1:0 nga liderja e grupit, Viktoria Plzen. Pas ndeshjes, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja u shpreh se mungesat ndikuan në këtë humbje.
“Ka qenë një pjesë e parë e luajtur shumë mirë, kemi pasur probleme me mungesat, por kjo nuk është për të justifikuar humbjen, por aty ku do të mund të kishim freskuar ekipin në fund të pjesës së dytë në i kishim tre lojtarë të lënduar. Në një moment të tillë kur kërkon të freskosh ekipin në ato pozita ku edhe mundesh ta kërkosh fitores nuk ke opsione. Në fund fare, është pjesë e këtij rrugëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, jo vetëm për ekipin por sidomos për lojtarët si Dellova, Zyba e Kuç që nuk kanë pushuar asnjë ditë për shkak të angazhimeve me përfaqësuese. Ky është maksimumi në mungesë të kontingjentit të lojtarëve, pasi lëndimi i Kryeziut në stërvitjen e fundit, na bëri të ndryshojmë gjërat. Nuk duhet harruar se përball kishim një ekip me përvojë të madhe në garat evropiane, ndërsa për ne është vetëm viti i dytë në Evropë”, është shprehur Daja.
