Botë
Përfundoi pauza humanitare në Gaza, Izraeli ka vrarë 54 palestinezë brenda tre orëve
01.12.2023 13:44
Menjëherë pas përfundimit të pauzës humanitare kanë rifilluar bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës...

Menjëherë pas përfundimit të pauzës humanitare kanë rifilluar bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës. Brenda tre orëve janë vrarë 54 palestinezë dhe janë plagosur qindra të tjerë, duke përfshirë edhe të ngujuarit nën rrënoja, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Sulmet kanë filluar në orët e hershme të mëngjesit, disa minuta pas përfundimit të armëpushimit, kur shumica e banorëve ishin në gjumë.
"Isha në gjumë kur dëgjova zhurmën e gurëve që binin. Pas kësaj, dëgjova zërat e vëllezërve dhe motrave të mia dhe unë shkova tek ata. Pastaj dëgjova njerëzit që filluan të gërmojnë. Ata erdhën dhe na nxorën jashtë.", - u shpreh banorja e Gazës, 10-vjeçare, Reem.
"Ne ishim duke fjetur në shtëpitë tona, duke u përgatitur për t'u zgjuar dhe për të përgatitur mëngjesin për fëmijët, kur papritmas shtëpia jonë dhe fqinjët tanë ishin në shënjestër. Nuk e dija se çfarë ndodhi me djemtë dhe vajzat e mia.”, - theksoi banorja e Khan Jounis, Amal Abu Dagga.
"Ishim në shtëpi, duke dëgjuar lajmet, kur filloi bombardimi, pasi e prisnim. U bëmë gati për këtë. Aeroplani bombardoi, duke shkatërruar shtëpinë tonë. Kjo është shtëpia jonë e dytë që është shkatërruar.”, - tha banori i Khan Jounis, Jameel Abu Dakka.
"Shtëpitë tona u granatuan derisa ishim brenda dhe kemi rreth shtatë të plagosur.”, - u shpreh banori i Khan Jounis, Anas Abu Dagga.
Autoritetet izraelite akuzuan Hamasin për shkeljen e kushteve të një armëpushimi të përkohshëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari edhe Egjipti po vazhdojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes dy palëve, edhe pse luftimet kanë rifilluar. Armëpushimi çoi në lirimin e më shumë se 110 pengjeve që mbaheshin në Gaza, por rreth 140 mbeten në robëri. Po ashtu rreth 300 palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite.
FARIJE DAUTI BAKIJU
