Botë

Bashkimi Evropian: Të ndryshojnë kriteret e kapitullit 35 për Serbinë

01.12.2023 14:37

Bashkimi Evropian do t’i kërkojë Komisionit Evropian që urgjentisht dhe më së largu në muajin janar...

Bashkimi Evropian do t’i kërkojë Komisionit Evropian që urgjentisht dhe më së largu në muajin janar, të ndryshojë kriteret e kapitullit 35 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë, kapitull ky që ka të bëjë me normalizimin e raporteve me Kosovën. Kjo nënkupton që në negociatat e anëtarësimit të përfshihen detyrimet që i ka Serbia nga marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën, e cila u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe Aneksi i zbatimit i dakorduar më 18 mars në Ohër. Kjo thuhet në draftin e konkluzioneve, të cilat do t’i miratojnë më së voni gjatë dhjetorit, ministrat për Çështje Evropiane të BE-së, ndërsa do të mbështetën edhe në samit nga ana e liderëve evropian. Kërkesa për ndryshimin e kritereve në negociatat e anëtarësimit, po vjen pasi që Serbia ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën, që e kishte ndërmjetësuar në fillim të këtij viti Bashkimi Evropian. 
 
Në takimin ministror të dhjetorit do të diskutohet për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa ministrat do të kërkojnë nga Kosova dhe Serbia - qasje konstruktive në dialog, si dhe do të përsëritet  gatishmëria e Brukselit të ndërmarrë masa ndaj palëve, nëse nuk kanë sukses në depërshkallëzimin e situatës në veri. Sa i përket dhunës së majit në veri dhe sulmit në Banjskë, Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i bëjë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht, që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve të 29 majit, si dhe sjellja para drejtësisë edhe të sulmuesve ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator në Banjskë. 
 
“Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe medieve më 29 maj të vitit 2023 dhe sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në veri të Kosovës.”.  Konkluzionet e draftit konstatojnë se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për zbardhjen e rastit në Banjskë.
 
GYLTENE SINANI