Maqedoni

Kovaçevski: Portofoli i BB-së në RMV kap vlerën 400 milionë euro

01.12.2023 14:55

Projekte të shumta në infrastrukturë, lehtësimi i tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor...

Projekte të shumta në infrastrukturë, lehtësimi i tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, ndërtimi i kopshteve dhe shkollave,  përmirësimi i arsimit bazë, shërbimeve sociale, janë disa nga përfitimet e vendit nga  partneriteti 30-vjeçar midis Maqedonisë së Veriut me Bankën Botërore. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se portofoli aktual që Banka Botërore ka në vend, kap vlerën e mbi 400 milionë eurove, projekte të cilat janë në fazën e realizimit, ndërsa ndihma do të vazhdojë edhe nëpërmjet pakos së 9-të të masave anti-krizë, ku janë parashikuar kredi të destinuara për komunat, të cilat do të investojnë në efikasitetin energjetik.
 
“Fokusi kryesor në financimin e projekteve do të jetë në pjesën e infrastrukturës, përforcimin e kapaciteteve energjetike, mbrojtjen e mjedisit jetësor, kapitalit njerëzor, si dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së kompanive në shtet. Më gëzon fakti që në kuadër të kornizës për partneritet me Maqedoninë e Veriut për periudhën 2024-2028 nga Banka Botërore do të rritet ndihma financiare për shtetin tonë gati dyfish nga ajo e deritanishmja.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Basseti: Mbështetja e BB-së për RMV-në do të vazhdojë
 
Nënkryetarja e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Basseti, është shprehur se mbështetja ndaj vendit do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim të përforcimit të institucioneve dhe hapave drejt Unionit Evropian.
 
“Së bashku duhet të mbetemi të përqendruar dhe t’i përforcojmë institucionet, të përkrahim makro-ekonominë, ekonominë e gjelbër dhe të investojmë në kapitalin njerëzor. E përshëndesim përparimin e bërë në procesin e skriningut të Unionit Evropian muajin e kaluar dhe shpresojmë në kompletim të shpejtë të hapave të ardhshëm, të cilat do të rezultojnë me anëtarësim të plotë në Union.”, - u shpreh nënkryetarja e Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Azinë, Antonella Basseti.
 
Përgjatë 30 viteve, Banka Botërore në vendin tonë, nëpërmjet projekteve të ndryshme ka investuar afër 3 miliardë dollarë duke ndihmuar kështu ekonominë dhe përmirësimin e kualitetit të jetesës. 
 
GAZMEND KURTISHI