Maqedoni

Gjykata Penale, dy vite e gjysmë burg për Muhamed Zekirin

01.12.2023 15:15

Gjykata Penale ka shpallur fajtor ish-sekretarin gjeneral të Qeverisë, Muhamed Zekirin...

Gjykata Penale ka shpallur fajtor ish-sekretarin gjeneral të Qeverisë, Muhamed Zekirin për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, duke kontraktuar marrëveshje në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike. Ai u dënua me dy vite e gjysmë burg, ndërsa obligohet që në buxhetin e shtetit t’i kthejë 71 milion denarë.
 
Gjykatësja Fanka Mihajllovska njoftoi se në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak që nënkupton se Zekirit i kanë ngelur edhe 11 muaj nga dënimi. Pas shpalljes së aktgjykimit, Zekiri deklaroi se vendimi gjyqësor është i pabazë dhe asnjëherë nuk ka arritur të dëshmojë paramendimin. Theksoi se ka vepruar me rekomandim të zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi. Nuk kam qenë unë ai që i kam shikuar kontratat, por ato janë parë nga ekspertë juridikë në Qeveri dhe në asnjë moment nuk më kanë treguar që nuk duhet të firmos, theksoi Zekiri duke paralajmëruar ankesë për vendimin.
 
“Vendimin e gjykatës do ta ankimojmë përmes avokatëve. Konsiderojmë se në asnjë moment gjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar paramendimi për kryerjen e veprës për të cilën ngarkohem, pasi që unë kam realizuar dhe vepruar në bazë të paramendimit të dikujt tjetër, në këtë rast Qeverisë që të firmojë këto marrëveshje.”, - u shpreh i akuzuari, Muhamed Zekiri.
 
Muhamed Zekiri akuzohet se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulente në vlerë të përgjithshme prej rreth 1 milion euro. Respektivisht ka keqpërdorur pozitën e tij për lidhje të kontratës me kompaninë “Interholding”, për shërbime konsultuese për privatizimin e mundshëm të ShA “Postat” dhe “Hekurudhat”.
 
FLORIJE KAMBERI