Maqedoni
Pyetje deputetësh, VMRO-ja dyshon për përgjime masive në vend
01.12.2023 15:57
Përgjimet masive u riaktualizuan në Kuvend....

Përgjimet masive u riaktualizuan në Kuvend. VMRO-DPMNE-ja hapi dilemat për përgjime masive nga pushteti nëpërmjet cilido operator në vend. Deputeti, Igor Janushev, tha se Ministria e Brendshme ka siguruar një sistem të tillë, ndërkohë që edhe ministri i Brendshëm është informuar.
“Lejen e jep Ministria për Punë të Brendshme në bazë të kërkesës me shkrim nga person zyrtar për të cilën është dhënë specifikim për llojin dhe karakteristikat për mjetet të cilat mund të përdoren për ndjekjen e komunikimeve. Pyetja ime është se MPB-ja a ka dhënë leje për këtë furnizim jo mega, por ultra skandaloz?”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Spasovski: Përgjime ka bërë VMRO-ja
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, hodhi poshtë pretendimet e tilla duke akuzuar opozitën se kanë qenë pikërisht ata të cilët kanë bërë përgjimet masive.
“Ky nuk është furnizimi im. Për t’u bërë furnizime të tilla, ka institucione kompetente. Ky nuk është furnizim i MPB-së. Spekulim i plotë dhe gënjeshtër është se dikush mund t’i ndjek të gjithë. Përgjimi i të gjithëve ishte deri në vitin 2017, kur keni ndjekur mbi 20 mijë persona dhe ku mbi 1 milion biseda u bënë publike. Përndjekja në këto momente është vetëm në bazë të urdhëresave gjyqësore dhe asgjë më shumë.”, - theksoi ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski.
ASh-ja kërkon që qytetarët të pajisen me shtetësi
Deputetja e ASh-së, Ilire Dauti, riaktualizoi çështjen e dhënies së shtetësisë dhe këmbënguli në përshpejtimin e procedurave. Ndërkohë që nuk kurseu edhe kritikat ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së.
“Përgjigjen që kam marrë për zonjën Razije Luma, e cila është një zonjë afër moshës 50 vjeçare, prej moshës kur ju zotëri dhe zonja ishit në pushtet, meqenëse doni kështu t’i ndani punët, të pushtetit dhe të opozitës, ju e keni lënë pa shtetësi me dhjetëra vite pushtet dhe zonja disa herë është refuzuar edhe në kohën tuaj.”, - u shpreh deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.
Reagimi i deputetes Dauti erdhi pas shprehjes së pakënaqësive të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së se po humbet kohë në pyetje dhe përgjigje të marra me shkrim, në vend se të shkohet direkt në pyetjet e seancës së sotme të deputetëve.
MERAL ISMAILI
