Maqedoni

Samiti i OKB-së për ndryshimet klimatike, Pendarovski: Deri në vitin 2030 do ta zvogëlojmë ndotjen

01.12.2023 17:19

Maqedonia e Veriut është vend i vogël dhe ndodhet në një nga rajonet...

Maqedonia e Veriut është vend i vogël dhe ndodhet në një nga rajonet më të cenueshme klimatike në botë, por ka ambicie të mëdha për të zgjidhur problemet klimatike, tha presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në samitin e OKB-së për ndryshimet klimatike që po mbahet në Dubai.
 
Sipas tij, qëllimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlojmë emetimet e grimcave PM për 82%, edhe pse kjo nuk do të jetë detyrë e lehtë, pasi termocentralet e qymyrit janë burimi kryesor i furnizimit me energji elektrike në vend, por në të njëjtën kohë janë ndotësit më të mëdhenj, që ndikojnë në ndryshimet klimaterike dhe shëndetin e njerëzve, tha Pendarovski. Maqedonia është vendi i parë në Evropë, që është zgjedhur për “Tranzicion të përshpejtuar të qymyrit”, duke përfshirë burimet e rinovueshme të energjisë nga Fondi për Investimet Klimatike.
 
“Së bashku me (IBRD) Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, do ta lansojmë platformën investuese për “Tranzicione të të Drejtave Energjetike”, e cila do të na ndihmojë që t’i mobilizojmë fondet e nevojshme dhe të transferohemi në burimet e rinovueshme, të përshpejtojmë rritjen e investimeve dhe të ofrojmë cilësi të larta të vendeve të gjelbra të punës, për bashkësitë në miniera.”, - deklaroi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
 
Në këtë mënyrë, shtoi Pendarovski, Maqedonia do të harmonizojë angazhimet globale për efikasitetin energjetik dhe burimet e rinovueshme në Bashkimin Evropian.
 
“Kujdesuni për planetin dhe shëndetin e njerëzve për eko-sistemin dhe ekonominë, që të zvogëlojmë pasigurinë energjetike.”, ishte mesazhi i fundit i kreut të shtetit në këtë konferencë.
 
Ndërkohë Maqedonia e Veriut gjatë ditës u radhit ndër 10 vendet e para me ajrin më të ndotur në botë. Indeksi i matur i ndotjes është 156, që sjell paralajmërim se ajri është i dëmshëm për shëndetin dhe ambientin.
 
Sipas I-Q-Air përqendrimi i grimcave PM-është 20 herë më e lartë sesa vlera vjetore e udhëzimeve për cilësinë e ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh). Në vend të parë, sipas ndotjes është Delhi i Indisë me indeks 484. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU