Maqedoni

Samiti i Këshillit Ministror të OSBE-së, përplasje diplomatike mes Lindjes e Perëndimit

01.12.2023 17:43

Salla “Boris Trajkovski” në Shkup është shndërruar në arenë të përplasjeve diplomatike...

Salla “Boris Trajkovski” në Shkup është shndërruar në arenë të përplasjeve diplomatike mes Lindjes dhe Perëndimit. Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për destabilizim dhe propagandë.
Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, akuzoi Perëndimin për degradim të OSBE-së dhe për humbjen e racionalitetit.
 
Sa i përket kontestit të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, Lavrov vlerësoi se të gjitha mosmarrëveshjet në rajon burojnë nga shkatërrimi i Jugosllavisë. 
 
“Nëse jap vlerësim të përgjithshëm jo vetëm për marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, por për të gjitha problemet ballkanike, do të thoja se rrënja e të gjitha problemeve ballkanike qëndron tek aksionet e perëndimit për shkatërrimin e RSFJ-së. E mbaj mend para disa viteve, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, nuk e mbaj mend emrin, por ai bënte fotografi në zyrën e tij në Kuvend, në Maqedoni. Në tavolinën e tij kishte flamurin shqiptar, pra ka probleme, dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Perëndimi mbështet disa grupe etnike në Ballkan dhe për disa marrin qëndrime agresive, diktatoriale.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të OSBE-së, Sergej Lavrov. 
 
Nuk vonoi shumë dhe erdhi kundërpërgjigja amerikane. Lavrovi bën propagandë të zezë, kurse Rusia duhet të japë përgjigje për krimet kundër njerëzimit në Ukrainë, tha ambasadori amerikan në OSBE, Majkëll Karpenter. Ai qartazi bëri të ditur edhe atë se politika amerikane ndaj Kosovës nuk ndryshon dhe se ShBA-ja mbetet përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës. 
 
“Unë mendoj se Rusia ndjehet shumë jorehatshëm sa i përket  pozitës  së  saj në OSBE, sepse siç thash paraprakisht, është izoluar në mënyrë diplomatike. Kishte fjalime nga Lavrovi dhe shtetet e tjera perëndimore se ato mbizotërojnë narrativin me OSBE-në, por ne do ta shfrytëzojmë këtë organizatë për qëllimin për të cilin është krijuar dhe ne shohim funksionalitetin e saj si fitore tonën. Mendoj se ky është një rezultat i mirë për të gjithë ne.”, - theksoi ambasadori i ShBA-së në OSBE, Majkëll Karpenter. 
 
Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, nuk morri pjesë në seancën përmbyllëse të Këshillit Ministror të 30-të të OSBE-së, kurse nga ana tjetër shtetet perëndimore këtë samit e vlerësuan si fitore të diplomacisë perëndimore dhe të OSBE-së. Përndryshe ardhjen e Lavrovit në Shkup e bojkotuan sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell.  
 
ERSAN PAJAZITI