Vazhdojnë bombardimet izraelite mbi Gaza, brenda dy ditëve janë vrarë mbi 200 palestinez
Ushtria izraelite njoftoi se ka shënjestruar mbi 400 objektiva...

Ushtria izraelite njoftoi se ka shënjestruar mbi 400 objektiva në Rripin e Gazës, sulmet janë kryer nga toka, ajri dhe deti. Brenda dy ditëve janë vrarë rreth 200 palestinez, shumica e tyre gra dhe fëmijë.
Avionët dhe anijet luftarake izraelite kryen sulme të ashpra ndaj Khan Younis në jug të Rripit të Gazës dhe ndaj qytetit Deir Al-Balah për të cilët zona pretendohej se janë më të sigurta.
Spitalet janë të stërmushuar me pacient. Organizatat humanitare dhe ato për të drejtat e njeriut bëjnë thirrje për armpushim.
“Nuk mund të shohim më fëmijë me plagë lufte, me djegiet, me pjesë të coptuara të trupit, me kockat e thyera. Janë rreth një mijë fëmijë javët e fundit që kanë pasur një gjymtyrë të sipërme ose të poshtme ose të dy janë amputuar. Mosveprimi nga ana e atyre që kanë ndikim, po lejon vrasjen e fëmijëve. Mosveprimi në thelb është miratimi i vrasjes së fëmijëve .Kjo është luftë ndaj fëmijëve. Duhet të zbatohet një armëpushim afatgjatë. Çdo bisedë rreth Gazës, rreth fëmijëve të Gazës, duhet të fillojë me ndjeshmëri dhe dhembshuri. Të pranosh sakrificën e fëmijëve në Gaza është heqja dorë nga njerëzimi.” – tha zëdhënësi i UNICEF, James Elder.
“Është si një film horror kur hyn në spital, ka pacientë në dysheme me lëndimet më të tmerrshme nga fusha e betejës për të cilat as nuk mund të imagjinosh. Pacientëve u jepet kujdesi më i mirë i mundshëm, por numri i stafit në dispozicion është relativisht i vogël. Shumë nga stafi janë arratisur, kanë ikur me familjet e tyre ose janë vrarë.” – deklaroi Rob Holden, officer i lartë i urgjencës pranë OBSH-së.
"Ne u bëjmë thirrje palëve të mos përdorin veprime të mëtejshme ushtarake. Kjo vetëm mund ta përkeqësojë situatën tashmë katastrofike humanitare në Gaza dhe të kursejë civilët nga më shumë vuajtje” – u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
“Palët në këtë konflikt duhet të mbrojnë civilët. Ndihma humanitare duhet të vazhdojë pa kushte, pengjet duhet të lirohen pa kushte. OKB-ja do të vazhdojë të qëndrojë dhe të japë ushqim, ujë, furnizime mjekësore dhe të tjera kritike për të shpëtuar jetë. Pra, ne kemi nevojë për një rifillim të një pauze dhe jo një kthim në luftë.” – tha Jens Laerke nga OKB, koordinim me
Ushtria Izraelite më 1 dhjetor rifilloi sulmet e saj kundër Rripit të Gazës menjëherë pas përfundimit të "pauzës humanitare".
Marrëveshja për një "pauzë humanitare" 4 ditore për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi më 24 nëntor në orën 06:00 dhe më pas u zgjat për 3 ditë të tjera.
Autoritetet izraelite akuzuan Hamasin për shkeljen e kushteve të një armëpushimi të përkohshëm. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
