Samiti i klimës në Dubai, grumbullohen rreth 420 milion dollarë

02.12.2023 20:02

Udhëheqësit botërorë në ditën e dytë të samitit vjetor...

Udhëheqësit botërorë në ditën e dytë të samitit vjetor të Klimës të organizuar nga OKB po diskutojnë sfidat dhe punën që duhet bërë për t’u përballur me ndryshimet klimatike. Krerë shtetesh nga Britanina e Madhe, Franca, Gjermania dhe Japonia, kanë mbërritur në samit, ndërsa mungon presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe ai kinez, Xi Jinping, të cilët janë edhe liderët e dy vendeve më të ndotura në botë.

Mbreti Charls i Britanisë së Madhe i cili mbajti fjalimin hapës paralajmëroi ndryshime të frikshme ndërsa iu bëri thirrje liderëve botërorë të bëjnë një kthesë të fortë.

“Ne jemi duke u bërë pjesë e një eksperimenti të frikshëm të ndryshimit të çdo kushti ekologjik, të gjitha përnjëherë, me një ritëm që tejkalon aftësinë e natyrës për t’u përballur “.- tha Mbreti Charls.

Kërkohet zgjerimi i energjive të rinovueshme

Kancelari gjerman Ofal Scholz kërkoi trefishim të kapaciteteve globale të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030.

“Zgjerimi i energjive të rinovueshme po përparon, por jo me ritmin që është i nevojshëm. Zgjerimi është përshpejtuar në Gjermani, por kjo tani duhej të ndodhë në të gjithë botën”, theksoi Scholz.

Rama: Do të ulim 20.9% gazrat serrë

I pranishëm është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili tha se Shqipëria po jep kontributin e saj si një vend i vogël në zhvillim, ndërsa bëri edhe një kritikë për vendet e mëdha.

“Barra e aksionit për klimën vazhdon të bjerë në mënyrë shpërpjesëtimore në shpatullat e vendeve në zhvillim, pavarësisht kontributit tonë minimal në këtë krizë ndërkohë që ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë. Megjithatë ajo çfarë ne bëjmë, është ajo tek e cila besojmë dhe jemi zotuar të ulim emetimet e gazrave serrë në nivel global me 20.9% deri në 2030 dhe të arrijmë asnjanësinë klimatike deri në 2050” – tha Kryeministri shqiptarë, Edi Rama.

Udhëheqës të tjerë botërorë, veçanërisht ata nga vendet në zhvillim iu kërkuan ekonomive të mëdha të ndërmarrin veprime urgjente si për të reduktuar ndotjet, ashtu edhe për të financuar humbjet dhe dëmet.

Samiti ka grumbulluar deri më tani rreth 420 milionë dollare, fond i cili do të shkojë si ndihmë por edhe si hua në vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Vendi pritës i samitit, Emiratet e Bashkuara Arabe, premtoi 100 milionë dollarë, ashtu si edhe Gjermania.

Mbretëria e Bashkuar njoftoi 60 milionë £, ndërsa SHBA-ja do të japë vetëm 17.5 milionë dollar për fondin, e ndjekur nga Japonia me 10 milionë dollarë. Liderët nënshkruan gjithshtu një deklaratë për sistemet ushqimore dhe përdorimin e tokës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)