Sezoni i dimrit dhe ajri i ndotur, rëndohet shëndeti i fëmijëve me alergji
Temperaturat e ulëta dhe rritja e lagështisë së ajrit....

Me uljen e temperaturave dhe fillimin e sezonit dimëror, Shkupi dhe disa qytete tjera të vendit përballen me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit. Kjo ndikon negativisht në shëndetin e qytetarëve e sidomos te kategoritë më të ndjeshme ku bëjnë pjesë edhe fëmijët, thonë mjekët.
Temperaturat e ulëta dhe rritja e lagështisë së ajrit është një teren shumë i përshtatshëm për zhvillimin e infeksioneve, qofshin ato virusale apo bakteriale, thotë për TVM2 pediatrja, Liridona Murtishi.
Ajo thekson se tek fëmijët me predispozitë alergjike ndikon edhe më shumë për t’u zhvilluar infeksionet e ndryshme.
“Fëmijët që kanë alergji nga pluhurat e ndryshëm siç e dijmë edhe vet gjendjen momentale të ajrit atmosferik këtu tek ne që është mjaft I ndotur, toksinat e ndryshme mund të jenë një triger faKtor për zhvillimin e simptomatologjisë respiratore tek këto fëmijë. Periudha e dimrit është më e përshtatshme për zhvillimin e infeksioneve respiratore, çdo fëmijë në kushte normale mund t’i ketë 8 deri në 10 infeksione respiratore brenda vitit” – tha Liridona Murtishi, specializante në pediatri.
Mjekja poashtu thekson se në këtë periudhë të vitit duhet patur kujdes më të madh në mirëmbjajtjen e higjienës, vaksinimi tek fëmijët si dhe marrja e vitaminave të nevojshme për përforcimin e imunitetit.
“Higjiena është hapi i parë për prevenimin e infeksioneve respiratore, vaksinimi i rregullt tek fëmijët, stimulimi i sistemit imunitar, dhënia e vitaminës D, e cila është deficitare në këtë periudhë kohore të vjeshtës dhe dimrit dhe suplementeve tjera që gjithashtu stimulojnë sistemin imunitar… Varësisht prej cfarë alergjie bëhet fjalë duhet që alergjenet sa më shumë të hiqen nga tereni i fëmijës ku jeton. Në rast se kemi të bëjmë me pluhurin, mirëmbajtja e higjienës, në rast se kemi të bëjmë me materialet e ndryshme sintetike, eliminimi i tyre” – deklaroi Murtishi.
Mjekët rekomandojnë që personat e prekur nga sëmundjet virusale apo bakteriale të izolohen që të mos infektohen edhe personat e tjerë. Të konsumojnë ushqime të shëndetshme me vitamina dhe minerale si dhe evitimi i daljes në natyrë kur është ajri më i ndotur. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
