Ukrainë, zbehen luftimet në Avdivka

03.12.2023 19:00

Qyteza ukrainase Avdivka...

Qyteza ukrainase Avdivka, e përballur me sulme të vazhdueshme ruse, ka regjistruar zbehje të ofensivës ruse në 24 orët e fundit, për shkak të humbjeve të mëdha të ushtrisë së Rusisë dhe motit të lig, ka thënë kryetari i qytezës, Vitaly Barabash.

“Në 24 orët e fundit, numri i sulmeve tokësore është zvogëluar”, ka thënë Barabash, për një transmetues ukrainas.

Ai ka thënë se luftimet janë zbehur për shkak të tre faktorëve – motit të vështirë, humbjeve të mëdha ruse dhe mungesës së ushtarëve.

“Secilën herë e më pak rusë kanë vullnet që të luftojnë”, ka shtuar Barabash.

Për shkak të luftës për kohë të gjatë, ukrainasit e konsiderojnë qytezën si simbolin e tyre të rezistencës.

Për gati dy muaj, Rusia ka tentuar të marrë kontrollin e Avdivkas, qytezë industriale afër Donjeckut, e cila është kthyer në një prej pikave kyçe të luftimit.