Gjendet trupi i pajetë e vajzës Vanja Gjorçevska, e deklaruar e humbur më 27 nëntor

03.12.2023 22:17

Prokuroria Publike njoftoi se, pas masave dhe aktiviteteve...

Prokuroria Publike njoftoi se, pas masave dhe aktiviteteve të gjithanshme të ndërmarra nga zyrtarët policorë nga SPB- Shkup, sot (03.12.2023) në afërsi të Shkupit është gjetur trupi i pajetë i të miturës Vanja Gjorçevska, ndërkaq në rrethinën e Velesit është gjetur edhe kufoma e personit me iniciale P.Zh, 74 vjeç nga Velesi, i cili ishte raportuar i zhdukur më 24 nëntor 2023.

“Në lidhje me të dy rastet të dyshuar janë pesë persona, tre prej të cilëve janë në ndalim, një është jashtë shtetit dhe një person aktualisht ndodhet në komisariatin e policisë. Paraprakisht në lidhje me veprat penale është gjetur një automjet i djegur tip Citroen dhe pas ekspertizës janë siguruar prova materiale për përfshirjen e personave, për të cilat pas dokumentimit të plotë të rasteve, në koordinim me Prokurorin Publik, do të bëhet kallëzimi përkatës penal.”- thuhet në kumtesë.

Nga veprimet hetimore të kryera është konstatuar se të dyja vrasjet janë kryer nga të njëjtët persona, motivi i të cilëve ishte “eksploatimi”. Gjithashtu, nga masat operative të zbatuara është konstatuar se e mitura është marrë me veturë nga hyrja e banesës dhe nga të dhënat e siguruara nga marrja në pyetje është konstatuar se ajo është vrarë të njëjtën ditë (27.11.2023) rreth orës 10:00.

Përkundër spekulimeve dhe dezinformatave, sipas të cilave ky rast ka prapavijë etnike, Prokuroria njofton se të gjithë të dyshuarit janë të përkatësisë etnike maqedonase.