Maqedoni

Hapet libri i zisë në shkollën fillore “Pestaloci”, i jepet lamtumira e fundit Vanja Gjorçevskës

04.12.2023 14:05

Në vend të haresë dhe të qeshurave të zakonshme, në oborrin e shkollës “Johan Henrih Pestaloci” mbretëroi heshtja....

Në vend të haresë dhe të qeshurave të zakonshme, në oborrin e shkollës “Johan Henrih Pestaloci” mbretëroi heshtja, mosbesimi, dëshpërimi dhe dhimbja shpirtërore. Në oborrin e shkollës ku mësonte 14-vjeçarja Vanja, u hap libër zie. Shoqëria e klasës, familjarë, politikanë dhe qytetarë të thjeshtë i thanë lamtumirën e fundit Vanjës, jeta e së cilës përfundoi para kohe në mënyrë të dhunshme dhe mizore. 
 
“Kam fëmijë që është në moshën e saj dhe me të vërtetë shpreh ngushëllimet e mia deri te familja e saj dhe deri te bashkëmoshatarët e saj. Kjo që ndodhi me të vërtetë na shqetëson të gjithë neve.”, - u shpreh një qytetare. 
 
Shkolla përmes një njoftimi në rrjetet sociale i dha lamtumirën e fundit nxënëses së tyre, trupi i pajetë i së cilës u gjet në atarin e fshatit Brazdë.
 
“Mësuesit nuk dinë ta zgjidhin këtë detyrë, Vanja. Na fal, nuk mundemi, nuk dimë si të përshëndetemi. Qoftë e lehtë rruga jote drejt amshimit. Buzëqeshja dhe shpirti jot i sinqertë do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona. Ndejmë  dhimbje dhe dashuri të pamasë, mësuesit dhe shokët e klasës tënde, e dashur Vanja.”.
 
Menaxhmenti i shkollës në bashkëpunim me disa psikologë dhe pedagogë do të hapë punëtori përmes të cilës do të ofrohet mbështetje për nxënësit për t'i ndihmuar ata të tejkalojnë  këtë ngjarje tragjike.
 
Në librin e zisë u nënshkruan të gjithë qytetarët  që dëshiruan  t’i shprehin ngushëllimet e tyre dhe t’i japin  lamtumirën e fundit 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska. 
 
FLUTURA LATIFI