Botë

Kosovë, rivarroset Liridona Ademaj

04.12.2023 14:22

Këtyre ditëve opinionin kosovar e tronditi vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj...

Këtyre ditëve opinionin kosovar e tronditi vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj, e cila është rivarrosur sot në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës, pasi familjarët e saj me të kuptuar se vrasja ishte porositur nga bashkëshorti, kërkuan nga prokuroria rivarrimin e të ndjerës. Ndërkohë ministrja kosovare e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar dënim maksimal për të gjithë të implikuarit në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
 
“Ftoj të gjitha institucionet e RKS-së, me theks policinë, prokurorinë dhe gjykatat që të mos neglizhojnë rastet e dhunës në familje. Neglizhenca e këtyre rasteve sigurisht që po i inkurajon dhunuesit dhe ndërmarrja e veprimeve minimale ndaj dhunuesve po i shndërron ata në vrasës, prandaj të gjitha institucionet e RKS-së duhet të jemi në kryerje të detyrës dhe rasti i fundit siç thash edhe më herët duhet të marrë dënimin maksimal nga institucionet tona të drejtësisë.”, - deklaroi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
 
Dyshohet se bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli në bashkëpunim me Liridon Kokallën dhe Granit Plavën organizuan vrasjen e Liridona Ademajt për qëllime të ulëta. Të dyshuarve nga gjykata në Prishtinë u është shqiptuar masa 30 ditë paraburgim. 
 
GYLTENE SINANI