Botë
Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët e opozitës përplasen me gardën
04.12.2023 14:37
Deputetët e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit u rikthyen në sallën plenare me të njëjtin skenar, atë të rrëmujës dhe kaosit....

Deputetët e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit u rikthyen në sallën plenare me të njëjtin skenar, atë të rrëmujës dhe kaosit.
Që në hyrje, u përballën me gardën që po i kontrollonte për të ndaluar futjen e flakadanëve në sallë, por kjo nuk i ndaloi t’i fusnin sendet e paligjshme. Tymi i flakadanëve mbuloi sallën ku ligjvënësit pas javës së gjelbër do të duhej të diskutonin problemet e qytetarëve.
Protagonisti kryesor i kësaj të enjteje, Flamur Noka, u përjashtua, por seancën 14 minutëshe nuk e la, duke ndezur herë pas here tymuese, ndërsa pas konsultimit me Sali Berishën tentoi t’i vërë flakën edhe karrigeve.
Në mesin e kaosit, të paktë kanë qenë deputetët socialistë që mundën të merrnin fjalën.
Lindita Nikolla, e cila edhe vetë u shënjestrua nga flakadanët e opozitës, mbylli seancën pas 14 minutash.
Pas seancës, Gazment Bardhi, i vetëdijshëm se mund të përjashtohet, tha se Parlamenti ka humbur legjitimitetin.
Me të njëjtin skenar, deputetët e opozitës do t’i drejtohen Kuvendit edhe të enjten, kur do të mbahet seanca për të miratuar nen për nen buxhetin e vitit 2024.
LULJETA NDOKA
