Maqedoni

Policia zbardh detaje për vrasjen e Vanjës, rrëmbimi është kryer për para, tre të arrestuar, i dyshuari kryesor në arrati

04.12.2023 15:00

Ministria e punëve të brendshme zbardh detaje nga vrasja e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska...

Ministria e punëve të brendshme zbardh detaje nga vrasja e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska, si dhe gjetjen e trupit të pajetë të 74-vjeçarit nga Velesi, Pançe Zhezhovski, me veturën e së cilit është kryer rrëmbimi i Vanjës. Vajzën e kanë rrëmbyer persona të cilët e kanë njohur familjen e saj të dirigjuar nga babai. Sipas ministrit të Brendshëm, Spasovski, babai ka dhënë instruksione rrëmbyesve për orarin kur Vanja ka lëshuar shtëpinë vetëm që ta rrëmbejnë dhe në shkëmbim të lirimit të saj nga e ëma të kërkojnë paratë.
 
“Motivi është interesi financiar me ç’rast njëri nga personat në bashkëpunim dhe dijeni me anëtarë të familjes ka organizuar kryerjen e veprës penale, me qëllim që të merren para nga e ëma e së miturës, që më pas të gjithë të përfshirët do t’i ndanin. Sa i përket personit tjetër në moshë nga Velesi, e cila nuk ka kurrfarë lidhje me të miturën, por për llogari të papastruara me njërin nga të dyshuarit, vetura e tij Citroen është marrë dhe shfrytëzuar gjatë kryerjes së veprës penale, që më pas kjo veturë është gjetur e djegur. Pikërisht me këtë veturë është marrë e mitura në hyrjen e ndërtesës.”, - deklaroi ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski. 
 
Policia mbrëmë vonë ka prangosur tre persona. I dyshuari i parë Velibor Manev, ka mohuar ta ketë kryer vrasjen.
 
Tre persona të dyshuar janë arrestuar nga policia. I dyshuari kryesor, i cili thuhet të ketë qëlluar me armë ndaj së ndjerës është arratisur, ndërkohë që edhe babai po merret në pyetje.
 
Nga Ministria e Brendshme sqarojnë se janë në kërkim të të arratisurit, i cili thuhet se ka lëshuar territorin e Maqedonisë me veturë së bashku me avokatin e tij drejt Beogradit dhe më pas në Bullgari. Sipas prokurorisë, të tre të dyshuarit kanë pranuar kryerjen e veprave penale.
 
“Kemi dëshmi për dalje jashtë kontrollit të personave që kanë pranuar veprën. Ata thonë se si pasojë e panikut pasi i gjithë opinioni u angazhua për gjetjen e vajzës dhe njëri prej tyre ka vendosur në atë moment që paratë t’i kërkoj më vonë pasi të kaloj e gjithë situata, andaj edhe në atë moment ka zgjedhur që të likuidojë fëmijën.”, - theksoi prokurori i Prokurorisë Themelore – Shkup, Gavrill Bubevski.
 
E ndjera Vanja Gjorçevska u deklarua e humbur më 27 nëntor, ndërkohë që trupi i pajetë i saj u gjet në rrethinë të Shkupit, ndërkohë që trupi i 74-vjeçarit nga Velesi u gjet në rrethinën e Velesit.
 
MERAL ISMAILI